Nga sektori i narkotikëve pranë Drejtorisë së Sigurisë së Athinës, u çmontua një organizatë kriminale që ushtronte aktivitet në furnizimin, magazinimin, falsifikimin, standardizimin dhe trafikimin e mëtejshëm të lëndëve narkotike në ishullin e Santorinit në Greqi dhe kryesisht në lokalet e natës në ishull gjatë muajve të verës.
Për t’i dhënë fund veprimtarisë kriminale, u u krye një operacion në shkallë të gjerë, në kuadër të të cilit 4 anëtarë të grupit u arrestuan. Ndaj anëtarëve të mësipërm të arrestuar dhe një anëtari tjetër, aktualisht i paraburgosur u ngritën akuza për themelim dhe anëtarësim në organizatë kriminale, shkelje të legjislacionit për substancat e varësisë, për shkelje të legjislacionit për armët dhe dhunë ndaj punonjësve.
Rrjeti kriminal ishte i strukturuar në mënyrë hierarkike me një infrastrukturë profesionale dhe kishte hartuar një plan veprimi metodik dhe të detajuar, duke siguruar funksionimin e pandërprerë të të gjitha fazave të veprimtarisë (furnizim, magazinim, falsifikim, standardizim dhe trafikim) për përfitimin sa më të madh.
Rolet e anëtarëve të organizatës ishin ndarë si më poshtë:
26-vjeçari Sulo Tahaj ishte drejtuesi i organizatës, përgjegjës për orientimin e plotë të anëtarëve të tjerë për transportin e drogës nga Athina në Santorini, standardizimin dhe ruajtjen e sasive në vende të fshehta në ishull për përfundimin e tyre me shpërndarjen në klubet e natës në ishull ose tek trafikantët e tjerë.
30-vjeçari Genci Tahaj ishte nëndrejtues, duke marrë pjesë aktive në menaxhimin dhe organizimin e grupit me fokus menaxhimin e të ardhurave të tij dhe përfitimet e pritshme.
36-vjeçari Fatmir Caushaj mori përgjegjësitë e drejtuesit dhe nënkryetarit të organizatës kur vellezërit Tahaj ndodheshin në Shqipëri.
30-vjeçarja Anastasiya Ivanchenko ishte përgjegjëse për transportin e drogës nga Athina në Santorini.
24-vjeçari Renson Marra ishte përgjegjës për gjetjen e lëndës narkotike dhe për “rekrutimin” e transportuesve të organizatës.
Pas përdorimit të duhur të informacionit, krijimit të profileve të anëtarëve të përfshirë në organizatë dhe verifikimit të ambienteve me të cilat ata ishin të lidhur, u kryen kontrolle në një magazinë dhe në tre shtëpi, ku u gjetën dhe sekuestruan 336 gramë kokainë, 2 kg 43 gramë marijuanë, 295 tableta “Ecstazy”, 1 pistoletë, 60 fishekë, 1 thikë, 24.890 euro, 9.050 pesos uruguaiane, 182 dollarë amerikanë, 100 dollarë australianë, 5 paund britanikë, 3 peshore elektronike, pajisje elektronike për evakuimin e ajrit dhe paketimin e drogës, një mori ambalazhesh najloni dhe 7 mjete për kryerjen e veprave kriminale të grupit (2 furgona për transportin e turistëve, dy automjete dhe 2 motoçikleta).
Bëhet me dije se disa anëtarë punonin në transportin e turistëve me automjete tip furgon dhe po përfitonin nga ky aktivitet për të kërkuar klientë.
Nga marrja në konsideratë e të gjitha të dhënave të hetimit, vlerësohet se fitimet e realizuara nga organizata i kalojnë 102.000 euro.
Të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë e Qarkut Naxos./m.j