Shtetet anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord të mërkurën për një raund të trembëdhjetë sanksionesh kundër Rusisë. Këto sanksione pritet që të hyjnë në fuqi, përpara se të mbushen dy vite që nga nisja e pushtimit të Ukrainës, këtë të shtunë.
Goditja e radhës vjen në një kohë kur Rusia është duke fituar pikë në fushën e betejës, ndërsa Ukraina është duke u përpjekur që të vijojë mbrojtjen me mungesë të furnizimit me armë nga ana e Perëndimit.
Unioni është përballur me kritika që nga nisja e luftës, pasi sanksionet që janë tashmë në fuqi nuk po mund ta ndalin presidentin Vladimir Putin në planet e tij të pushtimit.
Megjithatë, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e përshëndeti marrëveshjen e arritur, duke u shprehur në një postim në “X”, se BE-ja duhet të vijojë me shkatërrimin e makinerisë së luftës së Putinit.
Paketa e re e sanksioneve fokusohet te “gjurmimi” i kompanive në mbarë botën që dyshohet se i ofrojnë Rusisë teknologji të avancuar dhe mallra ushtarake të prodhuara në BE, veçanërisht komponentë të dronëve.
Në shënjestër janë vënë ndër të tjera, kompani nga Turqia dhe Koreja e Veriut.
Në “listën e zezë” me rreth 2000 emra, shtohen 200 individë të tjerë të sanksionuar, të cilët e kanë të ndaluar që të shkelin në territorin e Bashkimit Europian. Po ashtu, këta individë dhe kompanitë e sanksionuara përballen me ngrirje të aseteve.
Edhe pse Presidenca belge e Këshillit e ka cilësuar paketën e 13-të si “një nga paketat me spektrin më të gjerë, që është aprovuar ndonjëherë, blloku ka shmangur kryerjen e lëvizjeve drastike, si vendosja e sanksioneve ndaj importeve të metaleve.
/f.s