Ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata dhe presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, kanë debatuar ashpër mbrëmë në Ora Skaner në Ora News, duke shkuar deri në ofendime.
Ja debati midis tyre
Rudi Vata: Ky kampionat nuk mendoj se ka ndonjë nivel më të madh se sezoni i kaluar. Thjesht po dominon sërish Skënderbeu, por është edhe Partizani në garë, që besoj se do ta rivalizojë deri në fund për titullin kampion ekipin korçar.
Ardjan Takaj: Nuk mendoj se nuk ka nivel derisa po dominon një skuadër. Meqë po dominon për shembull Sëlltiku në Skoci, nuk paska futboll ky vend?!.
Rudi Vata: Nuk mund të flasësh kështu, duhet të njohësh një herë historinë e Sëlltikut.
Ardjan Takaj: Nuk po më kuptoni, s’e kam për të të kundërshtuar, por dua të të them se edhe Bajerni dominon në Gjermani, por nuk mund të themi se s’ka nivel futbolli gjerman. Ne jemi në një vazo me Sëlltikun.
Rudi Vata: Po çfarë flet o zotëri, sa larg je ti nga Sëlltiku! Çfarë ke bërë ti? E di ti kush është Sëlltiku apo jo? Merr një herë njohuri dhe hajde flit me mua pastaj.
Ardjan Takaj: Zotëri nuk flitet në këto kushte. Ti je në avion, kampionati shqiptar nuk shikohet kështu. Skënderbeu është skuadra më e mirë e historisë.
Rudi Vata: E dimë si keni shkuar deri aty, keni kaluar nja dy ture dhe mendoni se keni nivel. Ju s’keni asnjë plan biznesi.
Ardjan Takaj: Edhe një herë po të them, nuk mund të më gjykosh mua nga avioni.
Rudi Vata: Ti nuk je askushi o zotëri dhe nuk ke shans të flasësh me mua për futbollin.
Ardjan Takaj: Je parazit, vjen këtu dhe na jep mend dhe nesër ikën! Nuk je fare me realitetin. Të kemi parë edhe si trajner sa i dështuar je. Kush je ti o zotëri? Të heq kapelen si futbollist, po boll tani.
Rudi Vata: Atë që kam arritur unë në futboll, ti nuk ke shans ta arrish. Ndoshta ndonjë nuk ka guximin t’i thotë gjërat në sy, por ti je askushi. Ti nuk ke të deklaruar asgjë, sa punëtorë ke, sa buxhet ke, etj. Çfarë klubi je ti që nuk ke një plan biznesi? E dimë si i ke marrë ndeshjet ti dhe si i ke arritur ato suksese. As që të njoh fare, të kam takuar dy herë në stadium dhe nuk ke tagrin fare të më gjykosh mua.
Ardjan Takaj: Je në vete ti?
Gert Çarçani: Ju lutem, të mos e kalojmë bisedën në personale.