Këngëtari i njohur Bashkim Alibali ka treguar jetën e tij artistike në emisionin “Një natë sa një jetë” në RTSH 1, duke sjellë për publikun edhe një nga historitë e tij, kur e larguan nga muzika e lehtë në periudhën e sistemit komunist.
Alibali ka rrëfyer se si ai u konsiderua si këngëtar modernist dhe iu ndalua e drejta për të kënduar këngë të muzikës së lehtë.
Megjithatë, ai mundi t’i shpëtojë “dënimit” për të mos kënduar këngë të muzikës së lehtë duke kënduar fillimisht këngë të muzikës popullore për t’u rikthyer sërish te muzika e lehtë.
“U bë nja 3-4 orë mbledhje për mua, më cilësuan si këngëtar modernist. Madje kritikët i vendosën edhe një emër. Ma ndaluan të drejtën për të kënduar, por kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Vehbi Bala, ai më shpëtoi; Jo Bashkimi të këndojë populloren, të mësojë të këndojë kështu pastaj të kalojë te muzika e lehtë.
Unë e kuptova pasi fillova të këndoja muzikën e këngës popullore. Këndova “letër në kufi” që u bë këngë e masës. Ndjeva kënaqësinë te kënga dhe jam me atë sërish, që kënga popullore të zhvillohet. E ka bërë festivalin e këngës popullore qytetare Radio Televizioni Shqiptar dhe nuk e bën më”, është shprehur Alibali në studion e emisionit “Një natë sa një jetë”.
/a.r