Kryeministri Albin Kurti, në fjalimin solemn para deputetëve për 16-vjetorin e Pavarësisë, ka thënë se nëse Serbia do të kishte ndier përgjegjësi për gjenocidin në Kosovë do ta kishte njohur Pavarësinë e Kosovës qysh më 17 shkurt 2008.
Para ambasadorëve të huaj, Kurti edhe një herë ka kujtuar se Serbia po ndjek rrugën e konfrontimit me Kosovën. Ka përmendur edhe pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë, duke thënë se janë pakica më e diskriminuar në Evropë.
“Edhe sot si çdo vit mblidhemi për të uruar ditëlindjen e Kosovës. Me 16 vitet e saj në supe, është shteti më i ri rajon, por me vetëdije të pjekur po aq sa shtetet më të vjetra se ajo. Pavarësia ishte realizim i një aspirate popullore. Kosovën e ka pjekur para kohe qëndresa e popullit tonë ndaj valëve të njëpasnjëshme të pushtimeve dhe gjenocideve. Kosova u bë Republikë në Kaçanik dhe u luftua me pushkë të UÇK-së. Me flijimet që bëri për idenë e Republikës, Kosova fitoi simpatinë e shteteve demokratike që i dolën në krah më 1999. Më 2008 s’kishte mbetur dilemë te ndërkombëtarët se nëse Republika e Kosovës do të vinte. Por diskutohej të vinte në një trajtë të tillë që ishte e pranueshme edhe për armikun më të madh të saj, shtetin serb, që kishte dashur ta mbyste idenë e shtetit të shqiptarëve. Të gjithë e kemi të qartë se në rast Serbia shtetërore do të ishte ndier sado pak përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë, nëse në politikën e saj do të kishte mbizotëruar arsyeja dhe jo revanshizmi shovinist, ajo duhej ta kishte njohur Kosovën qysh më 2008. Kosova garanton të drejtat më të gjera për pakicat në rajonin tonë, posaçërisht te serbët. Shqiptarët në Luginë janë pakica më e diskriminuar në Evropë, që edhe sot po i nënshtrohet spastrimit me të ashtuquajturin pasivizim të adresave. Është për keqardhje që fqinji ynë verior ka zgjedhur rrugën e konfrontimit dhe bllokimit të funksionimit të brendshëm të Kosovës dhe njohjeve të jashtme”, ka thënë kryeministri para 67 deputetëve të pranishëm.
Kurti ka përmendur refuzimin e Serbisë për të nënshkruar marrëveshjet bazike, duke shtuar se zgjodhi ta përfaqësonte terrorizmin.
“Ajo vazhdon të refuzojë nënshkrimin e planit franko-gjerman dhe nuk nënshkroi marrëveshjen bazike për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën që sjell fqinjësi të mire evropiane. Në vend të saj, ajo përfaqësoi terrorizmin. Edhe aty dështoi me turp përballë heroizmin dhe profesionalizmit të Policisë sonë. Për mbrojtjen e Republikës sonë nga sulmi i financuar dhe drejtuar nga Serbia, u desh që sërish të jepnim dëshmor. Afrim Bunjaku i shtohet kësaj liste. Lavdi dëshmorëve, Republika nuk ju harron”, ka thënë ai.
/f.s