Nga Artur Ajazi
Pasi kanë 33 vjet që qeverisin, që bëjnë politikë, pasuri, para, krime, trazira, pasi kanë mbi 3 dekada që u kanë nxirë jetën shqipëtarëve, sërish tentojnë të zvarriten në politikë. Sërish tentojnë të mbeten në skenën politike, duke krijuar dhe firmosur “Federata” apo “Aleanca”, për të qenë sërish pjesë e listave zgjedhore. Sa turp.
Njerëz pa rybe. Sa pështirë, tek sheh emra dhe figura të plakur në poltronin e politikanit, kryetarit të partisë, sediljen e makinave luksoze, të afrohen ekraneve dhe të thonë se “ne jemi opozita e bashkuar, ne jemi e ardhmja e ketij vendi, na votoni ne ”.
Bashkohen ata që kanë konsumuar pushtet, ata që kanë ngritur dorën kundër ligjit, shtetit, ata që kanë vrarë të pafajshëm për të mbushur xhepat me miliona dollarë apo euro, ata që ç’nuk i bënë vendit, pasurisë kombetare për tu pasuruar. Dhe nuk tërhiqen, por thonë “ej, jemi këtu, do të marrim sërish pjesë në zgjedhje, jemi kryetare partish, duam pushtet”.
Njerëz pa rybe, njerëz të akuzuar, të implikuar në afera dhe krime, njerëz të hetuar, por deri sot të padënuar nga drejtesia. Dhe duan sërish pushtet. duan para, pasuri, pasi nuk u mjaftojnë ato që morën sa kishin pushtetin. Kanë 33 vjet që qendrojnë majë kolltukut të partiçkave (me 10 ose 20 anetare gjithsej) ku po ti vësh në provë, nuk i votojnë as njerëzit e lagjes. Dhe sërish thonë “jemi edhe ne”.
Njerëz pa rybe, pa vlera, të paemancipuar, të paqytetëruar. Kushdo në Europë, do kishte ikur me kohë nga politika, nga kryetar partie, dhe do kishte parë hesapet e tij, deri në momentin kur do të duhej të përballej me drejtesinë. E vetmja “punë” në jetën e tyre, deri ditën kur morën postin e kryetarit të partisë, ka qenë posti, apo pushteti që kanë konsumuar.
E keqja më e madhe e klasës politike në Shqipëri, ka qenë dhe mbetet vegjetimi i një kaste njerëzish të damkosur si të korruptuar dhe të lidhur me afera kriminale. Të pasuruar me para të pista, dhe që sot “notojnë” në pellgun e qelbur të politikës së shkuar, duke tentuar riciklimin edhe për një mandat të ri. Fatkeqesia më e madhe qëndron në faktin se, kjo kastë njerëzish pa rybe, u zvarriten shqipëtarëve gjithmonë kur afrojnë fushatat zgjedhore.
Zgjedhjet e reja në 2025, duhet të jenë pika fundore, e kësaj kaste të konsumuar, të damkosur, dhe të inkriminuar, që po trazojnë sërish politikën europianiste të vendit.