Gjatë katër viteve, nga 2019 deri në 2022-shin, nga vendi janë larguar rreth 160 mijë shqiptarë (156,197 shqiptar persona), pjesa dërrmuese e të cilëve kanë ikur për tu punësuar. Shifra, është rezultat i një analize të qeverisë, bërë nga ministria e Brendshme për migracionin, për të pasur të qartë pasqyrën e arsyeve të largimit që rrjedhimisht do shtronin rrugën e politikave të reja për ta frenuar braktisjen e vendit.
Sipas analizës së qeverisë, vendi po përballet me shkallë të lartë të emigrimit të njerëzve të kualifikuar të grup moshës 20-49 vjeç, sidomos në fushën e shëndetësisë. Për shkak të emigrimit dhe rënies së lindshmërisë popullsia e vendit është tkurrur me 2.7% përgjatë katër viteve (2019-2022).
Shkaqet kryesore të emigracionit, vlerëson qeveria – janë: punësimi, bashkimi familjar, por edhe studimet. Nga analizat e bëra 85% e shqiptarëve kanë ikur për punë jashtë vendit duke sjellë ndikim negativ në ekonominë shqiptare me biznese të shumta që vuajnë mungesën e stafit.
Në analizën e Ministrisë së Brendshme thuhet se vendi po përballet me rritje të popullsisë në moshë pune, por theksohet se – për shkak se tregu vendas nuk ofron mundësi të favorshme punësimi, shqiptarët po largohen.
“Si rregull, rritja e popullsisë në moshë pune është një “dhuratë demografike” për zhvillimin e tregut të punës, megjithatë, përvoja tregon se kjo “dhuratë” e mundshme ka gjasë të shndërrohet në një “risk demografik”, nëse nuk hapen vende të reja pune apo mungojnë mundësitë e kënaqshme të punësimit”, thuhet në dokument.
Duke e konsideruar migracionin sfidë dhe detyrë të gjithë qeverisë, ministria e Brendshme thotë se duhet një qasje e koordinuar strategjike mbi këtë fenomen. Rekomandohet krijimi i skemave kombëtare për të bërë të mundur që edhe pse jashtë vendit, emigrantët të orientohen që paratë e dërguara, të mos i kanalizojnë vetëm si dërgesa për familjarët, por t’i kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit me investime konkrete.
“Intensifikimi i përpjekjeve për një qasje të koordinuar strategjike ndaj çështjeve të migracionit, duke ndjekur parimin “e gjithë qeveria”, është një element kyç për detyrën e përgjithshme të Shqipërisë për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive sfidave të reja në fushën e qeverisjes së migracionit”, thuhet në dokument.
Qeveria ngre nevojën që edhe bashkitë të përfshihet në këtë proces, duke punuar në integrimin e emigrantëve të kthyer në atdhe, t’i angazhojë në proceset e vendimmarrjeve të komuniteteve lokale.
Mbi këtë analizim të situatës, Ministria e Brendshme, kërkon një strategji për ri-integrimin në tregun e punës të shqiptarëve të kthyer nga emigracioni me qëllim që kapaciteti i tyre profesional të shfrytëzohet siç duhet.
Por impakti pozitiv në mesin e kësaj situate, janë remitancat, të cilat po rriten vit pas viti, duke u kthyer në burim të rëndësishëm për ekonominë e vendit duke mbajtur mijëra familje me të ardhura.
“Të ardhurat nga emigrantët janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave të përgjithshme të familjeve, që mbështetin shpenzimet e konsumit dhe investimet familjare”, thuhet në dokument.
Në total prej vitit 2008 deri më tani emigrantët kanë sjellë në vend 10,948 mld euro, ndërkohë që shifrat më të larta historike janë regjistruar në vitin e kaluar ku brenda 9 muajsh emigrantët sollën për të afërmit e tyre 677 milionë euro.
Edhe në këtë pikë, qeveria rekomandon të lehtësohen procedurat dhe tarifat për transferimin e remitancave.
/f.s