Pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-së për të mos e bërë një gjë të tillë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi ushtrinë të përgatitet për të evakuuar civilët nga qyteti jugor i Gazës, Rafah, përpara se shteti hebre të nisë atje një ofensive të zgjeruar kundër Hamasit.
Grupet e ndihmës thonë se është e pamundur që të evakuohen të gjithë personat nga qyteti kufitar. Netanyahu u kërkoi zyrtarëve ushtarakë dhe atyre të sigurisë të “paraqesin në kabinet një plan të kombinuar për evakuimin e popullsisë dhe shkatërrimin e batalioneve” të Hamasit. Argumenti i dhënë prej tij është se e konsideron të pamundur arritjen e qëllimit të kësaj lufte pa eliminuar grupin militant. Hamasi, sipas zyrtarëve izraelite, ka të paktën 4 bataljone në Rafah. “Është e qartë se aktiviteti intensiv në këtë qytet e dikton që civilët të evakuohen nga zonat e luftimit”, theksohet në deklaratë. Në fillim të kësaj jave, Netanyahu pati insistuar që “ trupat të bëhen gati për operacionin në Rafah duke profetizuar madje se “fitorja totale” e Izraelit mbi Hamasin është vetëm disa muaj larg.
/f.s