Pesë persona ranë në pranga dhe një u shpall në kërkim, pasi mashtronin qytetarët duke u marrë deri në 10 mijë euro në këmbim të vizës amerikane.
I dyshuari kryesor është Renato Nasto, i cili nëpërmjet rrjetit social “Instagram” reklamonte aktivitetin e tij të paligjshëm, me emrin “viza_amerikane_insider”.
“Viza Amerikane me garanci 100%. Ne garantojmë pajisjen me viza Amerikane 10-vjeçare. Ju paguani vetëm pasi viza t’iu aprovohet”, shkruhej në faqen e Instagramit.
Disa nga të dyshuarit kanë paraqitur informacione dhe formularë me të dhëna të rreme, me qëllim për t’u kualifikuar për kategori të caktuara vizash amerikane.
Në prangat e policisë ranë Eduart Gjini, Klea Prifti, Klaudio Leçini, Xhemal Seseri dhe Klaus Kapedani dhe u shpall në kërkim E. Gj., të cilët kanë rezultuar se në bashkëpunim me Renato Naston kanë falsifikuar formularët elektronikë për vizë amerikane duke e plotësuar me të dhëna jo reale.
Renato Nasto, me grupin e tij kriminal kishte krijuar një skemë të mirëfilltë për të zhvatur qytetarët për të përfituar viza amerikane. Për të pasur sukses, në aplikimet që agjencia e tij bënte, të dhënat që hidheshin në sistem nuk ishin reale. Që aplikimi të bëhej sa më bindës dhe i besueshëm, shtoheshin detaje si profesione më të kualifikuara dhe specializime të ndryshme.
Në këtë formë kanë mundur të marrin viza shumë persona në ambasadën amerikane, pasi vetë Nasto mësonte se si të silleshin në intervista. Paratë aplikantët i dorëzonin pasi merrnin vizat dhe Nasto paraqitej para këtyre klientëve si person që ka njohje të brendshme në ambasadë, duke dalë kështu garant për marrjen e vizës. Në rrjetet sociale, Renato Nasto reklamonte vizat amerikane të tijat, të familjarëve të lidhur dhe personave të tjerë bashkëpunëtorë të grupit.
/f.s