Në orën 12:30 të kësaj të Marte u planifikua të mbahet mbledhja e tretë për këtë vit e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Por siç shihet në videot që gazetari i Klan News Enkel Xhangoli ka siguruar, opozita po zbaton të njëjtin skenar si herët e shkuara duke mos e lejuar zhvillimin e saj.
Megjithatë punonjësit e Gardës kanë penguar të futen në sallë deputetët e PD-së të përjashtuar nga Kuvendi më parë. Demokrati Flamur Noka vijoi me akuza të forta ndaj kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit.
“Shiheni live çfarë bën banda e pushtetit. A ndodh në një vend demokratik që gjithë grupi parlamentar të lihet jashtë mbledhjes me qëllim që të masturbohen brenda këta si në një parlament monist? E bëri dje Edi Rama nëpërmjet asaj kukullës Barbie që e telekomandon. Shikojeni sot, as deputetët e as mediat nuk i lejojnë. Duan ta bëjnë gjithçka në errësirë”, u shpreh Noka.
Edhe Albana Vokshi e Luan Baçi kanë pasur momente tensioni me Gardën.
Pritet që edhe mbledhja e sotme ashtu si të Premten e kaluar të zhvillohet online, ku do të dëgjohen organizatat e Shoqërisë Civile.
/a.r