Nga 4 mijë aplikues të papunë për t’u bërë pjesë e këtij programi që synon aftësimin dixhital për forcën e punës e shpallur si emergjente për zhvillimet e kohës, pothuajse gjysma e tyre kanë përfunduar kursin e programimit.
Xhoni, një i ri vetëm 22 vjeç nga Tirana, pas përfundimit të shkollës së lartë, nuk arriti të punësohej në degën e Inxhinierisë Mekanike. Ai thotë se përpara se të punësohej si kodues, ka punuar në biznes tregtar familjar dhe për një periudhë të shkurtër kohore edhe në një lokal si shumica e të rinjve shqiptarë.
“Si kodues po punoj prej 4 mujash. Ndoqa një kurs 4 mujor dhe falë ndihmës që më dhanë edhe ata, m’u krijua mundësia për të gjetur punë më lehtë.”
Ndërsa Jona, pas rikthimit nga Milano, pa që dega që ajo kishte studiuar për Bio-Teknologji, nuk gjendej në tregun shqiptar.
“Pas kthimit në Shqipëri, pashë mundësitë dhe tregun, edhe u punësova si koduese për programim.”
Edhe këtë vit, qeveria shqiptare ka përfshirë në listën e programeve të formimit profesional që mund të përfitojnë mbështetje financiare edhe “Programimin”.
Në udhëzimin e botuar në fletoren zyrtare, janë zbardhur fushat që do të mbështeten financiarisht nga qeveria, duke përfshirë edhe inteligjencën artificiale.
Ato zgjasin nga 3-6 muaj. Për to mund të alikojë çdo i ri mbi 16 vjeç, i cili përfiton 50-100% financim nga shteti.
/f.s