Qeveria nuk ka nxitim për të kaluar ligjin për tregtinë elektronike që prek drejtpërdrejtë dhe mediat online. Duke folur në Report TV, ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito deklaroi se ligji në fjalë nuk cënon pavarësinë e mediave online, ndërsa shtoi se qeveria mbetet e hapur për të dëgjuar shqetësimet e grupeve të interesit.
“Është e vërtetë që ka patur shqetësime për këtë çështje. Shqipëria vjen nga një histori censure të gjatë, dhe është normale që të ketë shqetësim. Nuk kemi asnjë urgjencë për ta kaluar këtë ligj. Ligji ekzistues rregullon pjesën më të madhe të gjërave që duam të preçizojmë. Jemi në një fazë konsultimi, në një fazë paraprake, për ta diskutuar me të gjithë”, shprehet Harito.
Sipas saj, ligji aktual është transfuzuar në 2009-ën dhe amenduar në 2013 si një direktivë e BE, për shërbimet elektronike dhe të shoqërisë së informacionit. Direktiva thotë se përfshin portalet që quhen shërbime pa pagesë të financuara nga reklama, ose sponsorizimi. Kjo do të thotë, sqaron ministrja, se të gjitha shërbimet e shoqërisë së informacionit, hyjnë në kuadrin e rregullimit të kësaj direktive.
Harito garantoi se amendimet nuk cënojnë lirinë e mediave online. “S’po bëjmë asgjë për të cilën ju mendoni se preket liria e medias. Por sigurisht jemi duke plotësuar detyrimet që na vijnë nga progres-raporti dhe është normale për të ecur përpara në këtë fushë”, tha ajo.
Harito tha se në portale ka përmbajtje që vijnë nga palë të tretë. “Janë komentatorët, dhe hapësirat publicitare, që s’është përgjegjës portali, por pala e tretë. Direktiva thotë se portali nuk është përgjegjës për palët e treta. Dhe nuk bëhet portali përgjegjës. Por, në ligjin aktual ka një detyrim aposteriori. Në momentin kur unë raportoj te portali që komenti final është fyes për këtë arsye, duke iu referuar bazës ligjore, sot në ligin që flasim, ka detyrimin ta çaktivizojë përmbajtjen fyese brenda 48 orësh”, tha Harito.
Sipas saj “komentatorët janë anonimë dhe diçka dengruese në internet mbetet përgjithmonë, prandaj duhet kjo ndërhyrje në kohë”.
Sa i përket administratës publike, Harito tha se ka dy kategori në administratë, nënpunësi civil dhe ata që rregullohen me Kodin e Punës. “Nga 90 mijë punonjës, 16 mijë janë nëpunës civilë. Vitin e kaluar, DAP ka patur 1000 pozicione të lira. Ka bërë 700 emërime dhe në to ka patur mesatarisht 20 kandidatë për çdo pozicion”, tha ajo.
Harito tha se progres- raporti i 2015-ës vlerëson se është bërë progresi i konsiderueshëm dhe se Shqipëria është rasti i përparuar në Ballkan në rekrutimet e Shërbimit Civil. “Është forcuar shkolla e trajnimit të administratës, ku kanë kaluar mijëra vetë. Nga administrata qendrore ka kaluar nga 1500 vetë që ishin, në 9000 vetë që tashmë janë pjesë e Shërbimit Civil. Është bërë një punë e madhe në profesionalizimin e tyre”, shtoi ajo.
Duke u ndalur te Kongresi i PS-së që do të mbahet të shtunën, Harito tha se “ky është një moment i rëndësishëm për partinë, pasi fuqizon të gjitha strukturat e partisë”.
“Le të mendojmë që një kandidat, cilido qoftë, kandidon në këtë moment përballë Ramës, i cili ka fituar 2 palë zgjedhje dhe le të supozojmë se njëri apo tjetri nga këta kandidatë fiton garën…A do të ishte legjitim në sytë e shqiptarëve që të ishte kryeministër? Statuti i PS-së përcakton se kryetari i partisë është Kryeministër. Do të kishim një kryetar të zgjedhur nga anëtarët e PS-së dhe do të dilte me pretendimin për të qenë Kryeministër, pavarësisht se populli ka votuar 2 herë rresht një lider, që është Rama. Është një debat shterpë mendoj, pasi vullneti i qytetarëve është shprehur qartë”, tha Harito