Anila Paci, specialiste në regjistrin e gjendjes civile në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ishte dëshmitare e radhës në procesin ndaj Alfred Belerit në Gjykatën e Posaçme.
Paci, e thirrur nga mbrojtja, në proces u pyet se përse pas arrestimit Alfred Beleri ka rezultuar si person “i dënuar”, ndërsa në certifikatat e gjendjes gjyqësore të marra me herët ose më vonë rezulton “i padënuar”.
Specialistja e DPB tha se kur kërkimi për certifikatë të gjendjes gjyqësore bëhet individual nga e-Albania, nëse personi është rehabilituar, del me shënimin “i padënuar”.
Por, sipas saj, nëse kërkesa bëhet nga institucioni si Prokuroria, Gjykata, apo KQZ, në përgjigje jepet gjithë historiku me rekordet e mëhershme penale dhe rezultati del “i dënuar”.
Kujtojmë se një dëshmi penaliteti me rezultatin “i dënuar” ishte një ndër argumentet kryesore për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, më 13 maj 2023.
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit dhe u la më pas në masën e “arrestit me burg” nga Gjykata e Vlorës me argumentin se i akuzuari paraqiste rrezikshmëri pasi “siç rezulton edhe nga aktet, ai është i dënuar më parë”.
/f.s