Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kërkon Britanisë së Madhe të ekstradojë në Shqipëri Donald Hoxhën. Lajmin e bën të ditur gazetarja e Klan News Glidona Daci.
Donald Hoxha dyshohet si i përfshirë në vrasjen e Roland Rexhepit në Elbasan. Arrestimi i tij u bë i mundur më 17 Janar të këtij viti në Angli. Në kohën kur ka ndodhur vrasja Hoxha ishte vetëm 18 vjeç, ndërkohë që për vrasjen e Rexhepit janë dënuar Marjus Tafa dhe Armando Llakaj. Në gjykim për të njëjtën çështje është edhe Florind Shabani.
Kujtojmë se Roland Rexhepi, ish-oficer policie, u qëllua për vdekje poshtë shtëpisë së tij në lagjen “Vullnetari” të Elbasanit më 22 Korrik 2009. I ndjeri njihej me pseudonimin “Doda” në këtë qytet.
Tashmë pritet që të nisin procedurat e ekstradimit për Donald Hoxhën, 34 vjeç.
/a.r