Cilat qenë konkluzionet e misionit të Komisionerit europian për Çështjet e Migracionit dhe Sigurisë Dimitris Avramopoulos në Tiranë? Zyrtarisht nga ana e qeverisë bisedimet u mbajtën të rezervuara, por Avramopulos deklaroi per mediat se Komisioni Europian do t’i ofrojë Shqipërisë të gjithë mbështetjen e nevojshme në rast të një fluksi refugjatësh.
Pas një takimi me ministrin e Brendshëm Tahiri, Avramopulos u shpreh se “deri tani nuk ka të dhëna për flukse të papritura të migrantëve”, por shtoi se “është e nevojshme që të gjithë të jenë të përgatitur për cdo lloj mundësie”.
Nga burime mediatike rezulton se Komisioneri europian ka kërkuar që pala shqiptare të mbajë pjesën e saj të barrës, në rast se do të jetë e nevojshme. Në këmbim mësohet se vendi ynë mund të përfitojë një shumë që mund të shkojë deri tek disa dhjetra milion eurot.
“Shqipëria është e gatshme të bëjë detyrat e saj, të mbajë përgjegjësitë e veta, në kuadër të një plani europian”, deklaroi pas takimit ministri i Brendshëm Tahiri. Komisioneri pati sot takime me të liderët kryesorë politikë, përfshirë Presidentin Nishani dhe kryeministrin Rama.