Pasionin e lindur, aktori i humorit Florian Binaj e prezanton në ekspozitën e tij të parë personale “Paralel”. Krahas humorit që sjell çdo të diele në “Portokalli’, Flori, i diplomuar në degën e pikturës grafike, kurorëzon në këtë ekspozitë punën e tij 10-vjeçare, duke sjellë një anë të panjohur për publikun e gjerë.
“Kam dashur të sjell në opinonin publik dhe tek të gjithë ata që më ndjekin prej 12 vjetësh në ‘Portokalli’, atë për të cilën unë kam që prej 2 vjeç e gjysmë që e kam talent e që është piktura, vizatimi. Një pjesë janë bërë gjatë provave, në lexim tavoline nga 20-45 minuta kohë, por ka edhe grafika që janë realizuar gjatë atyre të dielave të shenjta që i kemi pushim”, thotë duke qeshur Binaj.
Në mes tyre, Flori tregon se ka pasur edhe nga ato punë të cilave u ka dedikuar mbrëmje të tëra deri në orët e para të mëngjesit.
“Punët më të vështira janë disa piktura, më saktë piktura e Duomos në Milano e cila më ka bërë të thinjem. Më është dashur gati çdo muaj të punoj gjysmë ore çdo natë”, vijoi ai.