Një statujë e lojtarit ikonik amerikan të bejsbollit Jackie Robinson është vjedhur nga një park në Kansas, tha policia.
Statuja prej bronzi, e cila qëndronte në një park në Wichita, u pre në kyçet e këmbëve dhe u tërhoq me një kamion.
“Komuniteti ynë është i shkatërruar,” tha Policia e Wichita në një deklaratë për vjedhjen, e cila ndodhi gjatë natës të enjten.
Policia ka ofruar një shpërblim në para për çdo informacion mbi vendndodhjen e statujës, shkruan BBC.
Shefi i policisë së Wichita-s, Joe Sullivan tha në një konferencë shtypi të premten se ishte “i frustruar nga veprimet e atyre individëve që kishin guximin të merrnin statujën” nga një park që fëmijët dhe familjet frekuentojnë.
“Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve,” tha zoti Sullivan.
Robinson, i cili luajti për Brooklyn Dodgers, bëri histori si lojtari i parë me ngjyrë në Major League Baseball.
“Pavarësisht motivimit të atyre që ishin të përfshirë, ata jo vetëm që po vidhnin nga komuniteti, por po vidhnin edhe nga trashëgimia e punës që është vënë nga anëtarët e League 42,” tha Brandon Johnson, një anëtar i këshilli të qytetit Wichita.
“Më e rëndësishmja, ata po vjedhin nga fëmijët”.
Zyrtarët po ofrojnë 2,500 dollarë (1,970 £) për çdo person që çon në arrestimin e autorëve dhe 5,000 dollarë shtesë për këdo që ka informacion se ku mund të jetë statuja.
Vlera e statujës së vjedhur është më shumë se 75,000 dollarë, thanë zyrtarët e qytetit, por ata shtuan se vlera e asaj që humbi është shumë më e madhe.
/a.r