Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, shprehu të shtunën shqetësim për rritjen e prirjeve të ekstremit të djathtë në vendin e tij, 79 vjet pas çlirimit të kampit famëkeq të Aushvicit.
“Të dhëna të reja po shfaqen gjatë gjithë kohës, për neo-nazistët dhe rrjetet e tyre të errëta”, tha socialdemokrati në një fjalim të regjistruar me video, në përkujtim të 27 janarit 1945, ditës së çlirimit të Aushvicit, nga trupat sovjetike.
“Në të njëjtën kohë, populistët e krahut të djathtë po fitojnë terren, duke ushqyer frikë e mbjellë urrejtje”, tha zoti Scholz, duke shtuar se kjo gjë nuk duhet pranuar.
Ndërkohë protestat kundër partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) kanë marrë vrull, pas njoftimeve se dy anëtarë të lartë të partisë iu bashkuan një takimi, për të diskutuar planet për dëbimin masiv të qytetarëve me origjinë të huaj. Demonstratat në mbarë vendin, që po shkojnë në javën e tyre të tretë.
Protestuesit kërkojnë të frenojnë mbështetjen për AfD-në, një parti që renditet e dyta në nivel kombëtar dhe e para në tre shtetet lindore të Gjermanisë, që mbajnë zgjedhje këtë vit.
“Është kohezioni i demokratëve që e bën demokracinë tonë të fortë”, tha zoti Scholz.
“Ta tregosh këtë në formë besimi, në publik, siç po ndodh tani është gjë e mirë”, shtoi ai.
Kancelari mirëpriti gjithashtu një vendim historik për të shkurtuar fondet për partinë radikale të krahut të djathtë ‘Die Heimat’, çka ka ndezur debat nëse një hap i ngjashëm mund të ndërmerret kundër partisë nacionaliste AfD. Duke iu referuar vendimit zoti Scholz e quajti atë “shumë të mirë”.
/a.d