Ushtrimi i të drejtës për t’u shprehur si e drejtë për të dhënë mesazhe përmes vijave e ngjyrave, ishte pikërisht ky reflektim që transmetoi kete jave ekspozita “Vizatime të lira”, në kuadër të Pranverës së Frankofonisë në Shqipëri, shkruan “Koha Ditore”.
Në Qendrën për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Aleancën Franceze në Tiranë dhe Institutin Francez u çel pasditen e së enjtes ekspozita “Vizatime të lira” (Dessins en liberté), duke marrë shkas nga sulmet mbi gazetën satirike “Charlie Hebdo”.
Kjo ekspozitë merr shkas nga sulmet e janarit të 2015 mbi gazetën satirike “Charlie Hebdo” , ku krijimet u prezantuan si bashkëpunim i të përjavshmes ‘Courrier International’ me Institutin Francez.
Ambasadori Francez në Shqipëri, Bernand Fitoussi i pranishëm në këtë aktivitet, gjatë fjalës së tij falenderoi kryeministrin Rama për mundësinë e këtij organizimi.
“Së pari dua të falënderoj kryeministrin për mundësinë e këtij organizimi. Kryeministri Rama para disa ditësh tha se Bashkimit Europian i duhet Shqipëria pasi Europa ka nevojë për pak humor”, tha ai.
Po ashtu, ambasadori ndau disa kujtime nga rinia e tij në lidhje me karikaturistët e gazetarët e vrarë në Francë, të revistës “Charlie Hebdo”.
“Kur isha i ri unë largohesha nga liceu çdo të mërkurë dhe blija këtë gazetë. Këta artistë të ‘Charlie Hebdo’ kanë qenë pjesë e rinisë time ndaj jam prekur edhe më shumë nga atentati kundër tyre. Ajo që ndodhi ishte një sulm kundër frankofonisë, pra aftësisë për të folur frengjisht. Është interesante sepse ata artistë flisnin frengjisht pa përdorur fjalë por duke i futur fjalët tek kutizat e vogla”, tha ai. Më tej, diplomati francez sqaroi se cilat ishin kufijtë e lirisë sipas mënyrës franceze.
Atentati kundër “Charlie Hebdo” rindezi debatin mbi karikaturistët, një histori që nis në 1789, me Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit.
Neni 11 njeh “lirinë për të shprehur mendimet”, e drejtë e vendosur përfundimisht nga Ligji për Lirinë e Shtypit i 29 korrikut 1881. Ilustrimet e periodikëve sjellin qasje të ndryshme ndaj lirisë së shtypit e të shprehjes në vende të ndryshme të botës. Pranvera e Frankofonisë në Shqipëri, si maratonë disaditore me aktivitete e bashkëpunime, ka në qendër promovimin e vlerave të frankofonisë.