Nga Artur Ajazi
Në Partinë Demokratike, ka qenë zakon i vjetër, pergatitja e fjalimeve. Madje edhe e shkrimeve që duhej të botoheshin në mediat e financuara prej saj, qysh nga 1992 në vazhdim. Vinte zarfi në redaksitë e gazetave të PD-së, ku brënda ishin 2-3 apo dhe më tepër shkrime politike dhe analiza partiake. Dhe botimi i tyre ishte detyrim për kryerdaktorin apo drejtorin e gazetës. Dhe ky zakon i vjetër, vazhdoi edhe me deputetët e asaj partie. dhe nuk ka se si të mos vazhdojë edhe sot, kur grupimi i asaj partie, ndodhet non-stop në rrugicën e liderit.
Fjalime dhe cicërime nga turma, fjalime të pergatitura me sms dhe printim, bëhen gati paradite, dhe u jepen “diskutantëve” në dorë tek mblidhen pasditeve në rrugicë. Fjalimin e tij, natyrisht Berisha e bën vetë. Edhe ai me printim, pasi mund të harrojë ndonjë “akuzë” ndaj Ramës. Dalin dhe flasin, dalin dhe bëjnë thirrje nga podiumi i rrugicëz, duke krijuar prej 3 javësh një bezdisje të madhe për ata banorë të pallatit dhe lagjes. Por paçka, kur kjo siç thonë ata “bëhet për hir të çështjes së madhe përmbysjes së Ramës”.
Imagjoni sikur Edi Rama të rrëzohej nga fjalimet e rrugicave, do të kishin dalë grupe-grupe rithemeluesit në rrugicat e qyteteve. kjo pra është opozita, kjo është platforma politike e saj 1 vit para zgjedhjeve, ku varet fati i saj. Kjo është rruga drejt “revolucionit dhe fitores mbi qeverisjen Rama”, që ka zgjedhur ish-kryeministri. Të besosh këtë teori dhe praktikë, i bie që Edi Rama të ikë nga pushteti pas 4 mandateve të tjera qeverisëse. Fjalimet nuk kanë asgjë të keqe, përkundrazi, kur ato mbahen në ditë të shënuara, në protesta masive ndaj një padrejtesie, kur ato mbahen nga liderë partish që kanë arsye të fortë për të bindur mbështetësit.
Por, të hartosh, printosh dhe shpërndash fjalime çdo ditë, duke angazhuar një taborrë me njerëz, kur fare mirë ata mund ti angazhosh në misione të tjera të dobishme për opozitën, është largim nga realiteti ku jeton. Një parti opozitare, që pretendon fitoren në zgjedhje, ndërton në ekip, një program të pasur me ide konkurruese, dhe shpall platformën e saj qeverisëse, në rast se vjen një ditë në pushtet.
Kur fjala i takon drejtësisë, faktorët e tjerë duhet të heshtin. Kur flet drejtesia, nuk bëhet zhurmë rrugicave, nuk mbahen fjalime, nuk fabrikohen akuza, se “ashtu e do puna”.Kur atakon vendimet e drejtësisë (gjithmonë të bazuara në ligje), dhe nxit turmat për tubime dhe fjalime ekstremiste, atëhere ke humbur shansin të jesh konkurrent dinjitoz për të ardhur në pushtet në një rend demokratik.