Ish-kryetari i degës demokratike në Kukës, Ibsen Elezi në një intervistë në “News Line” në ABC foli për skenat e dhunës që përfshinë Komisionin e Medias pas përplasjes së demokratëve mes tyre.
Gjatë kësaj interviste, Elezi theksoi se skena të tilla janë të turpshme dhe se veprime të tilla duhet të dënohen.
“Janë gjëra të turpshme që nuk ka as analiza politike. Një organizëm pa imunitet të brendshëm, kuptohet se çfarë nuk nxjerr jashtë. Nuk e di se mund të ndodhin veprime të tilla në mënyrë të vazhdueshme. Ky është një veprim që duhet të dënohet. Këtë e bën Flamuri dhe Gazi që nuk kanë identitet politik. Bardhi ka sulmuar Berishën, Flamurin tani është me Flamurin dhe sulmojnë Açkën. Përdorimi i dhunës është një mënyrë shumë ekstreme”, tha ai.
Gjithashtu ai theksoi se politika e PD ka qenë një politikë kacavjerrëse, pasi sipas tij mekanizmi i funksionimit të karrierës është që të sillen në mënyrë ekstreme që në këtë moment të bëhen të pëlqyerit e Berishës.
“Sistemi i kacavjerrjes brenda partive politike këtë prodhon. Pastaj ia vendosin fajin popullit përse nuk reagon kundër Ramës. Por nuk ka alternative. Rama ndjehet i parrezikuar sepse kundërshtarin e ka shumë të dobët”, tha më tej Elezi.
Reforma e zgjedhore;
Ibsen Elezi: Lista e hapur është një kërkesë që i është imponuar Lulzim Bashës për një kohë të gjatë. Kryetari autoritetin e garanton nëpërmjet listave të mbyllura dhe për rrjedhojë ky sistem i listave të mbyllura duhet të eliminohet.
Një zonë zgjedhore Basha e kërkon sepse e ndjen se nuk është forcë politike dhe kërkon të marrë maksimumin. Basha duke e parë që fuqia e vet elektorale mund të shkojë në 10 %, është i detyruar të kërkojë një zonë zgjedhore.
Ndërsa grupi i Rithemelimit ka një problem sepse nuk kanë asnjë ide. DO të bësh diçka, por nuk e di çfarë të bësh. Grupi i Rithemelimit duhet të ishte i prerë për listat e hapura. Edhe Basha edhe Berisha pretendojnë të nxjerrin grupin e vet të afërt deputet. Por duhet jo vetëm ta mundësh kundërshtarin, por duhet të japësh edhe alternative. Më e keqja është se vazhdojnë dhe i kërkojnë fajet tek qytetarët, ndërsa këta të fundit e kanë dhënë përgjigjen duke u thënë se janë më të pabesueshëm se Rama./m.j