Nga Frrok Çupi
Të dy ata i dhanë urdhër deputetes që të fliste ‘me urdhrin’ e tyre; ndryshe i shkulën mikrofonin dhe bota shkuli flokët. Urdhri shkonte te ajo, që ajo të urdhëronte një situatë tjetër; por edhe urdhri që dilte prej tyre vinte nga diku tjetër. Një deputete tjetër, po e atij krahu, tha se ‘e kishte parë urdhrin tek fluturonte nga ballkoni i një apartamenti ku strehohet një i arrestuar për krime’ dhe vinte në Kuvend.
Ndodhia në Parlamentin e Shqipërisë kësaj të mërkure, ku u dhunuan tre gra nga dy burra ‘të urdhëruar’, i nxori rrënjët Partisë, tashmë të kthyer në ‘Rithemelim’. Duket se Partia kishte bërë rrugën e një deveje nëpër shkretëtirë dhe tashmë i kishte mbetur vetëm skeleti e prandaj duhej të ‘rimbushej’, ose të rithemelohej- siç u pëlqen këtyre ta thonë.
Domethënë tani ndodhemi para afatit të vdekjes së Partisë. Për vetë vdekjen e saj po jepet urdhër çdo sabah e çdo aksham në dritaren e katit të tetë ku rri në burgim ‘Mareshali’.
Vetë PD, që kur lindi mori urdhër e pastaj u shfaq. Pastaj mori urdhra dhe transmetoi urdhra të dikujt për dikë ose për turmën. Partia Demokratike nuk ka ecur kurrë më këmbët e veta, me frymën e saj, me idenë, as me vullnetin e anëtarëve, as sipas të mirës së vendit. Ligji i saj i hekurt ishte urdhri.
Një nga urdhrat e marrë dhe të transmetuar:
Në mbrëmjen e 20 shkurtit 1991, sapo ishte rrëzuar monumenti i diktatorit në mes të Tiranës, sapo ra akshami, urdhër marrësi tha: ‘Të shkojmë atje lart e t’i kërkojmë ndjesë Presidentit! Gabim rrëzimi i monumentit. Tani kush të rrojë le ta ribëjë PD-në’. (Ribërja, si sot rithemelimi). Për gazetën ‘RD’ më çoi fjalë që ta bëja si ‘ZP’, por kjo nuk mund të ndodhte…
Kështu na gjeti mëngjesi, deri kur sajuam rast të prisnim Ibrahim Rugovën që shkelte mbi gurët e hedhur në bulevard nga militantët e PD, dhe të arratiseshim nga Tirana për në Hotelin e Gjuetisë .
“Kjo verë prodhohet këtu në Shqipëri?!”, tërhoqi një cep bisede Rugova sa për të folur me Berishën; biseda politike ishte e mbyllur.
Nuk kishte ardhur urdhri ende, mbrëmë kishte rënë monumenti dhe PD ndjehej fajtore.
Në ditët e shkuara, që me krijimin e PD, në zyrën- dhomë të Qytetit Studenti shfaqeshin ‘ilegalë’ nga rrethet. Kërkonin tesera anëtarësie të PD, ishin rrëshqitur ashtu fshehurazi nga periferia.
-Sa tesera doni?
-Gjashtë!- thoshte tjetri.- Jo më shumë, nuk pranojnë, kanë frikë.
-Mirë, mirë!, kaq boll janë. Po çfarë keni ju aty?, keni fabrikë?
-Jo, fabrikë jo! Kemi vetëm një punishte për salca.
-Epo mirë, atë, digjeni se është komuniste. Pastaj ejani për teserat.
-Po ti tjetri, çfarë ke atje?
-Tetë vetë, shoku anëtar i Komisionit…
-Thuaj ‘zoti’, ku e gjete ‘shoku’… Të pyeta çfarë keni, domethënë ndonjë fabrikë a send.
-Po, kemi fabrikën e pasurimit të bakrit…
– Epo mirë, digjeni e mandej dërgo dikë për teserat. Është urdhër.
Sot në Kurbnesh, pastaj Qyteti Stalin, Maliq, Bulqizë, Laç, Kalimash, Ura Vajgurore… Shkatërrimi i pasurisë kombëtare nisi me urdhër që nga periferitë dhe zonat e vogla, derisa përfshiu Uzinën e madhe të Autotraktorëve në Tiranë dhe më modernen ‘Petro Papin’ në Korçë. U bënë mbi 5000 vepra industriale e bujqësore që u dogjën ‘me urdhër’ të PD. Gazeta ‘RD’ në një nga numrat e saj në vitin 1993 shkruante me gëzim se ‘deri më tani janë djegur e shkatërruar 700 shkolla’ në mbarë vendin.
PD kishte dhënë urdhër; por dikush tjetër kishte urdhëruar PD-në. Shumë zëra kanë dëshmuar se agjencitë sekrete të vendeve që nuk ia deshën të mirën Shqipërisë, ishin të lidhura me kreun e PD, i cili shkelte me këmbë çdo frymë të mirë. Ndoshta tani me rastin e SPAK do të vihen për fije këto tmerre që iu bënë vendit me urdhër të UDB apo agjencive të tjera, dhënë përmes PD. Por një gjë dihet botërisht: Mik i afërt me Millosheviçin dhe me Berishën, Damir Fazlliç, kishte hyrë në zemër të Sigurisë Kombëtare dhe drejtonte Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë.
Ai urdhëronte që vendi ynë të ligej përditë…, por diku merrte Urdhër.
Ndoshta ai e ka urdhëruar Berishën për Luftën Civile kundër Jugut; por edhe ai vetë ishte i urdhëruar. Për Gërdecin ku u vranë dhe u dogjën 26 njerëz kishte urdhëruar tërë qeveria; qëllimi që të pasurohej Shkëlzeni i Berishës. Ministrat kishin marrë urdhër nga Saliu i PD. Me urdhër të Saliut u vranë edhe katër qytetarë në 21 janar 2011. ‘Kompetenti’ kishte urdhëruar që të ngriheshin piramidat financiare, humnera ku u zhyt ekonomia e vendit.
PD, fillim e fund, ka urdhëruar dhe ka marrë urdhra. Vullneti i popullit që votoi 19 herë në ‘mënyrë demokratike’ shkoi ‘për lesh’. Në PD grushti i urdhrit sot e kësaj dite ‘gjëmon e dërrmon’.
Të dy deputetët që dhunuan tre gra në Parlament, pardje, kishin urdhër dhe njëkohësisht urdhëronin.