JAVANEWS/ Marrdhëniet politike mes PD-së dhe FRD-së vijojnë të jenë ende të ngrira, pavarësisht ftesës mediatike për bashkëpunim që bëri disa ditë më parë kryetari i grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka, në adresë të FRD-së. Ka një seri arësyesh, të cilat mbajnë ende larg njëra tjetrës këto dy forca politike, ndonse shumë vite më parë drejtuesit e këtyre dy forcave politike ishin sëbashku në PD. Sekretari ekonomik i FRD-së, Alfred Cako, në një prononcim për Javanews, shprehet se ndonëse nuk ka deri më tani ndonjë ftesë zyrtare nga ana e PD-së, për momentin FRD-ja nuk është e fokusuar për ndonjë aleancë me parti të veçanta apo ndonjë koalicion partisht. “Pavarsishisht nga ndonjë lobim partish që po krijohen, përsëri do të rrjedhin akoma shumë ujra deri në zgjedhjet e ardhshme. Sigurisht që do të ketë lëvizje të reja përsa i përket rreshtimit në aleanca. Deri më sot FRD, përsa i perket aleancave për në Kuvend e qeverisje, ka preferuar të jetë e vetme, pasi kjo justifikon edhe daljen e saj në skenën politike, prej pakënaqësive popullore ndaj dy forcave kryesore të këtyre mbi dy dekadave”, shprehet Cako
Ai sqaron se FRD-ja ka pasur një koalicion me PS-në pas zgjedhjeve të fundit lokale për një qeverisje më të mirë lokale, në funksion të interesit të qyteteve e rajoneve të vendit. Por përsa i përket ndonjë aleance për zgjedhjet e ardhshme të pergjithshme, nënvizon Cako, “FRD-ja nuk ka pasur deri tani ndonjë ftesë zyrtare nga ndonjë parti ose koalicion partish dhe nuk ka shprehur deshirën e saj zyrtarisht që të jetë pjesë e ndonjerës prej tyre”.
“Pavarsisht se disa politikanë apo media kane aluduar ndonjë dëshirë ose qëllim të tyre duke përdorur emrin e FRD-së, në këtë kuptim, ato janë të pasakta e subjektive, duke ju referuar vetëm komunikimit zyrtar mes institucioneve partiake. Sigurisht që për këto zgjedhje FRD do shqyrtojë të gjitha opsionet e ndryshme dhe ajo do të veprojë vetëm sipas interesave të elektoratit të saj dhe interesave të gjera të publikut”, deklaron Cako për Javanews.
(javanews.al) Me. Ar