Ministri për Europën dhe Punët E Jashtme Igli Hasani gjatë vizitës zyrtare në Kosovë ka zhvilluar një konferencë për shtyp me homologon e tij Donika Gërvalla.
Në fjalën e tij, ministri Hasani tha se vizita e tij në Kosovë vjen në një moment të rëndësishëm, kur këtij shteti iu hoqën vizat me BE, por edhe në një moment kur tensionet janë gjithnjë e më të nxehta.
“Kjo vizitë vjen në një moment të rëndësishëm, ku Kosova ka marrë edhe liberalizimin e vizave.
Vizita ime është pjesë e një turi në Rajon. Është një tur që ka për qëllim ndarjen e ideve për punën që duhet të bëjmë të gjithë për të thelluar bashkëpunimin. Rajoni është duke kaluar një moment delikat. Ne kemi dënuar ashpër dhunën ndaj Kosovës në 24 shtator. Ky sulm është një akt i rrezikshëm dhe kriminal. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin. Autorët dhe organizatorët duhet të mbajnë përgjegjësi për të mos lejuar përshkallëzim të situatës. Më shumë se kurrë të gjithë të punojmë së bashku për të ardhmen e përbashkët. Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë një popull dhe të mbështesin prespektivën euroatlantike”, tha Hasani.
Ministri i Jashtëm shtoi më tej se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare.
“Me ministren pata mundësi te diskutojmë për idetë se si do e çojmë përpara agjendën e përbashkët për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ne NATO. Anëtarësimi i Kosovës në NATO eshtë prioritet për qeverinë shqiptare. Jemi te gatshëm të ndihmojmë Kosovën në procesin e integrimit”, shtoi më tej ministri Hasani.
/a.r