Ky është Marjan Hoxhaj, 19-vjeçari nga Durrësi që ka regjistruar një rezultat historik në Botërorin e bodybuilding.
Ai është shpallur kampion bote në dy kategori në kompeticionin ndërkombëtar zhvilluar në Spanjë, si pjesë e ekipit kombëtar të bodybuilding dhe fitnesit.
“Jam 19 vjeç. Së fundmi kam dalë kampion bote dhe absolut në Santa Susanna në Kampionatin Botëror dhe ndihem shumë krenar, që kam ngritur flamurin shqiptar në Spanjë dhe jo një herë, por dy herë brenda 1 viti”,- Marjan Hoxhaj, Bodybuilder.
“Brenda një viti kam arritur shtatë suksese, të cilat janë 3 herë radhazi kampion Shqipërie, Kampion Absolut Ballkani, ‘Herkules Grand Priz’ në Kampionat Rang Botëror, Kampionatin Europian dhe Kampionatin Botëror Absolut”, – Marjan Hoxhaj, Bodybuilder.
Dikur peshonte vetëm 47 kg, sot sportisti shqiptar ia doli në një garë me 10 rivalë, duke realizuar një ëndërr që dukej e pabesueshme.
“Brenda 2 vitesh jam stërvitur në mënyrë rigoroze, me një disiplinë shumë të madhe. Ditë për ditë bëja 1 orë ose 1 orë e gjysmë stërvitje pa pushim. Kur bëra garën time të parë, u mora pak edhe me disa punë të tjera dhe ato më lanë mbrapa. Atëherë i thashë vetes, që nëse dua të dal kampion duhet t’i heq këto vese të vjetra dhe të nis gjëra të reja dhe nga ai moment vetëm kam punuar shumë fort, që të arrij këtu ku jam sot.”
Ashtu si me çdo të ri, që ka arritur suksese ndërkombëtare nën flamurin shqiptar, edhe në këtë rast vëmendja institucionale ka qenë inekzistente.
“Të them të drejtën, të gjithë pagesat i kemi bërë vullnetarisht. Akoma nuk kemi mbështetje. Edhe si vlerë monetare, që të paktën të na stimulojnë, të heqim ato dietat, ushqimet. Besoj se mund ta kenë marrë vesh, por s’më ka shkruar njeri gjë, nuk u ka interesuar”, – Marjan Hoxhaj, Bodybuilder.
Vitet e fundit, qyteti bregdetar ka krijuar një traditë mjaft të mirë në këtë sport me kampionë kombëtarë e ndërkombëtarë si Edmond Methasani, Bruno Nuho, Irdi Kashari, Ramazan Qela etj.
/a.d