PD-ja ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, lidhur me përkeqësimin, sipas saj, të rendit public në Tiranë gjatë orëve të fundit. Kreu i departamentit për rendin, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për shtyp nga selia qëndrore e PD-së u shpreh se “atentatet me armë e me eksploziv në mes të Tiranës vijnë në kohën e klimës së miqësisë dhe partneritetit që ekziston mes qeverisë, mes Edi Ramës e Saimir Tahirit me krimin”.
“Një seri atentatesh dhe shpërthimesh me eksploziv kanë tronditur Tiranën, duke mbjellë terror e frikë e duke shtuar pasigurinë publike. Ky përkeqësim i rendit dhe i ligjit e ka kthyer kryeqytetin dhe vendin në ditën më të keqe të sundimit të bandave dhe kriminelëve”, deklaroi Alibeaj.
Sipas tij, vetëm në 12 orët e fundit: një shpërthim tritoli te Rruga 5 Maji ndaj një biznesi, nje atentat tek Komuna e Parisit ndaj një biznesmeni, një vrasje në zonën e ish bllokut, ndërkohë që të dielën pati shpërthim me eksploziv te rruga e Kavajës dhe pranë stadiumit Qemal Stafa.
“Valë e pahasur më parë e krimit, e rënies së rendit dhe sigurisë publike. Qytetarët në Tiranë e mbarë vendin janë të shqetësuar. Vetëm Edi Rama jo, i cili ka prioritet luftën brenda partisë dhe tenderat e koncesionet për miqtë. I pashqetësuar nga kjo valë krimi është dhe Saimir Tahiri, i cili ka prioritet miqësinë e përfitimet prej krimit, dhe jo qytetarët e rendin public”, deklaroi Alibeaj.