Në ditën e dytë të vizitës së tij në SHBA, lideri i opozitës ka shprehur vendosshmërinë për të patur një reformë në drejtësi dhe zgjedhje të lira e të ndershme, duke saktësuar se nuk është një çësthje dileme, mes reformës apo zgjedhjeve të parakohshme.
Ndryshe nga ish kryeministri Berisha, i cili ka kërkuar largimin e Kryeministrit, për ti hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme e më pas reformës, kryedemokrati është shprehur
“Kjo nuk është një çështje zgjedhjesh: O reformën në drejtësi ? O zgjedhje të lira e të ndershme? Edhe reformën në drejtësi edhe zgjedhje të lira dhe të ndershme… dilema nuk është reformë në drejtësi apo zgjedhje të parakohshme. Edhe reformë në drejtësi edhe zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është mesazhi që dua të ndaj sot nga Uashingtoni dhe për të cilën kam marrë mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të partnerëve tanë dhe të përfaqësuesve të tyre në Kongresin Amerikan”, theksoi Basha.
Në lidhje me Byronë Kombëtare të Hetimit, lideri opozitës kërkon miratimin e saj të menjëhershëm, sipas variantit të Venecias, dhe nën varësinë e Prokurorisë.
“Ky është edhe testi i sinqeritetit për maxhorancën: E do me të vërtetë reformën në drejtësi apo ishte e interesuar vetëm kur kjo t’i mundësonte kapjen e drejtësisë?!Nëse është gati për reformën në drejtësi, testi i parë është Byroja Kombëtare e Hetimit. Është së pari miratimi i akteve kushtetuese dhe ligjore për t’i hapur rrugë kësaj vegle që lufton korrupsionin në nivele të larta.
Dhe së dyti, implementimi i luftës kundër korrupsionit në nivele të larta përmes kësaj Byroje dhe monitorimi i këtij implementimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian” u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në ditën e dytë të qëndrimit në SHBA, lideri i opozitës u takua me kongresmenët Dana Rohrabacher, kryetar i Komitetit për Europën në Kongresin Amerikan Robert Aderholt dhe David Jolly, me drejtorin për Ballkanin në Departamentin Amerikan të Shtetit Thomas Yazdgerdi, si dhe u prit në një takim të veçantë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. SHBA-të kanë pritshmëri se po punojnë me partner të besuar dhe këtë duhet ta tregojë qeveria shqiptare, theksoi kongresmeni amerikan Jolly.