Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko i ftuar në studion e “Kontrast” me gazetarin Denis Minga në Report Tv komentoi deklaratat e kryedemokratit Lulzim Basha gjatë konferencës për shtyp që ky i fundit pati ditën e sotme. Bejko tha se me këtë konferencë Basha hapi siparin e një gjuhe të re politike.
“Ne duhet të futemi në normalitet, parlamenti duhet të kryejë reforma që janë jetike për demokracinë shqiptare sot. Sot Basha me konferencën e tij çeli siparin e një gjuhe të re politike dhe këtu është vija ndarëse e tranzicionit konfliktual dhe asaj që Shqipëria ka nevojë për gjeneratën e ardhshme”- tha Bejko.
I pyetur nga Minga nëse deklaratat e Bashës do të kenë efekt tek deputetët që i janë bashkuar Rithemelimit, Bejko tha se një gjë e tillë do të ndodhë më vonë por theksoi se kryedemokrati duhet të vijojë me konferencat për shtyp.
“Aty do ketë më vonë efekt. Më shpejt do ketë efekt tek 35-40% e elektoratit shqiptar përgjithësisht të djathtë, të cilët janë lodhur me lojën konfliktuale dhe duan një model të ri. Konferenca e sotme të shtypit realizoi objektivin e parë, për mua ishte 10 me yll por duhet ta vazhdojë këtë gjë sepse po ta lërë e humbet. Ka qenë audiencë maksimale dhe ne këtë kërkonim që kryetari i PD të marrë vëmendjen që i takon”- u shpreh Bejko.
Ndërsa për analistin Lorenc Vangjelin, një dalje e tillë e Bashës, ‘nuk ngjit’ para qytetarëve. Mes të tjerash shtoi se srsyeja përse Rama mendon të fitojë mandatin e katërt është fakti që brenda opozitës bëhet gara se kush është shumicë.
“Nuk ngjit, mësa ngjit macja në xham aq ngjit edhe diskursi shumë i gjatë i Bashës. Nëse një prononcim i tillë do ishte i transkriptuar në të shkruar pa e ditur se kush e thoshte, do ishte një politikan modern që ka një mendim normal. Por nuk ngjit, duket sikur kishte desantuar papritur në selinë e PD. Basha këtë e konsideron politikë. Politika ka një piedestal moral, diku i lartë diku i shkatërruar dhe ky piedestal moral mungon. Përgjigjet e dhëna nga Basha, nuk ngjisin ose ngjisin në të njëjtin raport që vendos macja me xhamin kur tenton të kacavirret”- argumentoi Vangjeli.
Në përfundim të diskutimit, Bejko u shpreh se dera e Partisë Demokratike është e hapur për të gjithë ata demokratë të cilët në një moment të caktuar kanë bërë një gabim emocional logjik./m.j