Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është top prioriteti për normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë – por Marrëveshja bazë mes dy vendeve. Kurti i bëri këto deklarata gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, i cili, teksa po qëndron për vizitë zyrtare në Prishtinë, tha se Asociacioni duhet të formohet, por jo duke krijuar një mikro-shtet brenda Kosovës.
Pas takimit me kryeministrin irlandez, më 11 janar, Kurti kërkoi që çështja e draft-statutit të Asociacionit mos veçohet, siç tha ai, nga paketa e marrëveshjes bazike.
“Asociacioni nuk është top prioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike, andaj të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos e nxjerrin nga paketa draft-statutin ose Asociacionin si një çështje. Nga 11 nenet e Marrëveshjes bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia. Ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim të marrëveshjes por edhe për respektim dhe mos-shkelje të saj. Kjo është arsyeja kryesore pse kemi kërkuar të ketë nënshkrim të marrëveshjes”, tha Kurti.
Ndërkaq, homologu irlandez i Kurtit tha se themelimi i Asociacionit “duhet të bëhet edhe në koordinim me komunat veriore të Kosovës. Udhëheqësi irlandez ka thënë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është jetik për zhvillim të mëtejmë të vendeve.
Varadkar ka thënë, po ashtu, se është e rëndësishme që “stabiliteti të konsolidohet në Kosovë”, duke shtuar se nuk dëshiron të shohë “kthim të skenave të dhunshme si ato në maj dhe në shtator”. Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Varadkar shprehu mbështetjen e Irlandës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.
Irlanda është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, në vitin 2008. Varadkar tha se qëndrimi i qeverisë irlandeze është që masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës të largohen. Pas takimit me Kurtin, në vizitën e tij të parë në Kosovë, kryeministri irlandez është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani.
/a.r