Ish-kryeministri Sali Berisha, ka dalë sërish në ballkonin e banesës së tij ku ndodhet në arrest shtëpiak dhe i është drejtuar me një fjalim simpatizantëve të tij që janë mbledhur për natën e shtatë me radhë poshtë banesës së tij.
Berisha: Ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj, ju përshëndes përzemërsisht ju dhe oratorët e mrekullueshëm për fjalët e tyre.
Por më lejoni t’i dërgoj një mesazh nga rruga nën ballkon Edvin Kristaq Ramës.
Edvin, kjo rruga nën ballkon është rruga e shpresës.
Kjo rruga nën ballkon është rruga e njerëzve të lirë.
Kjo rruga nën ballkon është rruga e njerëzve guximtarë.
Në të vërtetë, kjo është rruga e lirisë.
Por rruga e Surrelit është rruga drejt Pëllumb Gjokës, drejt McGonigalit, drejt Bajrëve, drejt Gjushit tënd.
Edvin, rruga e Surrelit është rruga e turpit, rruga e vjedhjeve, rruga e krimit, rruga pa të ardhme, rroga qorr, rruga pa fund.
Dëgjova me shumë kënaqësi fjalimet e të rinjve, e profesorëve, jam jashtëzakonisht i prekur dhe frymëzuar.
Sot më shumë se kurrë, pas 32 viteve, koha, Shqipëria kërkon fjalën e gjeneratës së re.
Kërkon guximin e kësaj gjenerate, kërkon vizionin e kësaj gjenerate, kërkon fuqinë e saj.
Në qoftë se 32 vite më parë, një gjeneratë të rinjsh u përball me një guxim epik me diktaturën komuniste dhe e zvarriti atë rrugëve të Tiranës, nuk duhet të harrojmë se e keqja ndër vite, e keqja këto 10 vitet e fundit, mori përsëri, lëshoi shtat dhe mori formë tjetër.
Përsëri kjo e keqe bëri që të gjitha pushtetet të përqendrohen, të grabiten, të mblidhen në duart e një personi.
Përsëri kjo e keqe bëri që opozita të shndërrohet në një fiktivitet.
Por kjo e keqe, miqtë e mi, të mos harrojmë kurrë se kohërat kurrë nuk do e harrojnë.
Kjo e keqe u soll me rininë shqiptarë si e keqja më e madhe, si pushtuesi më i egër që kjo rini ka njohur në të gjitha kohërat.
Ju lutem shumë, djemve dhe vajzave të reja, gjeni dhe lexoni promemorien e armikut doktrinar më të keq të kombit shqiptar, Vaso Çubrilloviç. Lexoni se si ky armik i qenies sonë parashtronte platformën e zbrazjes së Shqipërisë, platformën e shuarjes së kombit shqiptar duke dëbuar shqiptarët nga Shqipëria.
Çubrilloviçi frymëzoi regjimet nacionaliste serbe jugosllave për të përzënë qindra mijëra shqiptarë nga trojet e tyre.
Por, më shumë se Çubrilloviçi, më shumë se Pashiqi, më shumë se çdo regjim, shqiptarët i përzuri nga vatrat e tyre e keqja që quhet Edi Rama.
Sot, në 8 vite, Shqipëria përlotet, Shqipëria vajton mbi 500 mijë të rinj shqiptarë të cilët u larguan nga vendi i tyre, të cilët braktisën klasat e tyre, braktisën familjet e tyre. Morën rrugët e botës vetëm e vetëm se një e keqe që përqendroi çdo pushtet në duart e tij, vriste si një kuçedër, shpresën e tyre.
Vriste shpresën në çdo skaj, në çdo shkollë, në çdo universitet, në çdo qendër pune dhe kudo.
A nuk mjafton kjo që të shpallim Edi Ramën si armikun më të egër të qenies shqiptare?
A nuk mjafton kjo që të shpallim Edi Ramën si të keqen më të madhe kombëtare?
Atëherë, përballë kësaj, a nuk i takon të rinjve shqiptarë, nderi, detyra, misioni të ngrihen si luanë kundër kësaj të keqe për të shpëtuar veten, për të shpëtuar këtë vend që ai po e shkatërron me një program më shkatërrimtar se çdo pushtues tjetër./m.j