Kuvendi ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbarimin e mandatit të Arben Ahmetajt. Në një letër drejtuar Komisionerit Ilirjan Celibashi thuhet se ish-zv/kryeministri Ahmetaj ka munguar mbi 6 muaj pa arsye. Hera e fundit ku ai është paraqitur në parlament ka qenë 6 Korriku i vitit 2023.
“Kuvendi ju njofton mbarimin përpara afatit kushtetues të mandatit të deputetit të PS-së, Arben Ahmetaj, për shkak të mungesës së tij pa arsye për mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Kjo për arsye se seanca e fundit plenare ku deputeti Arben Ahmetaj ka marrë pjesë është data 6 Korrik 2023”, thuhet në letrën e Kuvendit.
Neni 71 i Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron kur ligjvënësi mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Në momentin që mbi Arben Ahmetajt u ngritën akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me dosjen e inceneratorëve, ai nuk hoqi dorë vullnetarisht nga mandati i deputetit edhe pse Kuvendi e zhveshi nga imunteti.
Tashmë pritet të nisin procedurat se kush do pritet të zëvendësojë në Kuvend Arben Ahmetajn, i cili ndodhet në kërkim ndërkombëtar. Sipas përllogaritjes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, në listën kandidatëve të Tiranës pas Arben Ahmetajt renditet Dallëndyshe Bici, e cila fitoi 4977 vota preferenciale.
Burime të Tv Klan konfirmuan se Bici që aktualisht mban detyrën e drejtoreshës së IKMT-së nuk do të pranojë mandatit e deputetit të Ahmetajt. Në këtë situatë pritet që mandati t’i kalojë juristit Plarent Ndreca, i cili në zgjedhjet e 2021, siguroi 4008 vota.
/a.r