Blendi Gonxhe ka reaguar pas ndryshimeve në qeveri, ku kryeministri Edi Rama ka propozuar emrin e tij si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Një privilegj e quan Gonxhe, ndërsa thotë se ndihet i nderuar për vlerësimin që i ka dhënë Rama për këtë emërim sfidues.
Teksa aktualisht drejton DPSHTRR, Gonxhe shkruan se kjo është një përgjegjësi e re për të shërbyer për më shumë qytetarë e sektorë në vend.
“Jam thellësisht i nderuar për vlerësimin e besimin e Kryeministrit Rama në këtë emërim kaq sfidues! Një privilegj që vjen me përgjegjësi të jashtëzakonshme e përkushtimin për të punuar me pasion e përulësi për të shërbyer me ide e zgjidhje për më shumë qytetarë e sektorë në vend”, shkruan Gonxhe.
Kreu i qeverisë njoftoi dje ndryshime në kabinetin qeveritar, ku duke bërë me dije formimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Kështu, shkrihet ministria e Kulturës, me Elva Margaritin që largohet nga kabineti, ndërsa zvogëlohet portofoli i Ervin Metes, i cili tashmë do të jetë ministër vetëm i Financave. Kryeministri i ka dërguar Presidentit Bajram Begaj dekretin për emërimin e Blendi Gonxhes.
/a.r