Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në konferencën e saj vjetore deklaroi se për 9-mujorin e vitit 2023 ka pasur 3.2 miliardë euro të ardhura në ekonominë shqiptare.
Kumbaro theksoi impaktin që pati në ekonomi sektori i turizmit gjatë vitit të shkuar.
“Po ta krahasojmë me vitin 2022 që ishte prapë një vit i mirë turistik ku kemi pasur për të gjithë vitin 2022, 2.8 miliardë euro, ndërkohë që vetëm për 9 muajt e parë të vitit 2023 3.2 miliardë”.
Duke iu referuar statistikave të Bankës së Shqipërisë, Kumbaro shtoi “është rritur mesatarja e netë-qëndrimeve”.
“Është një ndër kriteret me të cilat masim stabilitetin e ekonomisë së turizmit, nga 3-4 netë që e kemi pasur vitin e kaluar. Viti 2023 praktikisht shënoi 6 netë qëndrime për turist. Gjë që tregon një sektor në rritje”.
Gjatë fjalës së saj, ministrja tha se, sipas një e-maili që i ka ardhur nga kompania britanike “ABTA”, në raportin e fundit për 10 destinacionet që sugjerohen për 2024-shin për qytetarët e Britanisë së Madhe, një prej tyre është edhe Shqipëria.
Për të, Shqipëria është shumë afër realizimit të turizmit gjithëvjetor teksa shton se në vendin tonë vazhdojnë të hyjnë turistë të huaj.
Ndërkaq, Shqipëria është renditur e treta në Barometrin Botëror të Turizmit për periudhën janar-shtator 2023, sa i takon rritjes së numrit të turistëve.
Rritja sipas statistikave është me 49%. Para saj renditen Katari dhe Arabia Saudite, respektivisht me 91% dhe 50% rritje.
Edhe në publikimin për periudhën janar-korrik, të barometrit botëror të turizmit, Shqipëria renditej e treta në botë dhe e para në Evropë për rritjen e fluksit të vizitorëve të huaj (+56%).
Ndërsa, gjigandi i udhëtimeve “National Geographic” e ka renditur Shqipërinë në mesin e 30 vendeve të botës që duhen vizituar në vitin 2024.
Vendi përjetoi një bum turistik këtë vit, pasi u promovua gjerësisht në mediat ndërkombëtare si një destinacion që ia vlen të vizitohet për bukuritë natyrore, mikpritjen dhe kostot e arsyeshme./m.j