Nga Ben Andoni
Në mandatin e tretë rresht, gjëja më e pabesueshme të dëgjosh për qeverinë Rama është se do mund të rrëzohet normalisht me mbarimin e mandatit. Përballë saj, kundërshtarët kanë përdorur disa lloj strategjish, duke përdorur veç forcës, përçmimin dhe pastaj ‘lehtësinë’ e përballjes, por në të gjitha llogaritë: rezultatet janë tejet të hidhura. Ndërkohë, në këtë udhë lineare qeverisje, Rama-3 jo vetëm mban çdo lloj pushteti në vend, por po krijon disi psikozën se socialistët nuk mund të tranden lehtë nga vendi. Më shumë i ngut Rama të tijët me problemet apo shqetësimin e zgjedhjeve të parakohshme, sesa përballë PD-të patetike. “Dosja e Zezë” e opozitës, ku rreshtoheshin të gjitha padrejtësitë dhe shkeljet e zgjedhjeve, zgjati me sa duket si alibi të mos bëheshin analiza dhe t’i hiqej përgjegjësia Berishës. Sot, duket e harruar edhe nga vetë ata. Rrugëtimi i Bashës është një histori tjetër, që tashmë duket tangjent dhe disi ireal me zhvillimet politike të vendit. Këto janë disa nga paradokset që përcjellin atë çka në konceptet politike njihet si ‘deficit demokratik’. Basha u rikthye në PD-në (Legale) duke u ditur mirë, prej kur u largua me dorëheqje patetike, diversionin e tij për t’u rikthyer (pak muaj më parë rikthimi i tij ndodhi sikur s’kishte ikur asnjëherë); Rama flet shpesh mbi institucionet dhe ‘parasheh’ saktësisht ngjarjet politike, duke treguar de facto se ato të gjitha janë thjesht zgjatime të pushtetit të tij pakufi; Berisha u votëbesua mes të tijëve dhe pas disfatave zgjedhore, pas përçarjes së PD-së dhe mbi të gjitha pas shpalljes ‘non-grata’ prej SHBA-s dhe MB-së (!!); Meta e transformoi partinë strukturalisht në vetëm pak orë!!! Këto janë disa nga shfaqjet e fundit të individëve në drejtim, që përcaktojnë ‘fatet’ e vendeve me deficite demokratike, si vendi ynë.
Një deficit demokratik (ose deficiti i demokracisë), sipas literaturës “ndodh kur organizatat ose institucionet në dukje demokratike (veçanërisht qeveritë) nuk i përmbushin dot parimet e demokracisë në praktikat ose funksionimin e tyre”.
Për hir të së vërtetës, njihen disa kuptime të “deficitit demokratik”. Përkufizimet e saj të shumëllojta lidhen me shikimet e studiuesve nga vendet e ndryshme. Kjo përpjekje nisi që në mesin e viteve ’90, kur tollovia politike në Evropë, si përgjigjej ende si duhet këtij koncepti, referuar studiuesit të njohur amerikan të çështjeve evropiane Joseph Weiler. Ndërkohë, në përpjekjet e pareshtura të Ekzekutivëve në Evropë, kurse tek ne të PS dhe PD për integrimin evropian dhe në gjithë retorikën kushtuar asaj: Ekzekutivi ka marrë më shumë forcë, kurse kontrolli parlamentar është dobësuar (Andersen dhe Burns, 1996; Raunio, 1999), citohet argumenti i sjellë nga studiuesi Carlo Fusaro, referuar kolegëve të mësipërm. Ky zhvillim të sjell ndërmend me njëfarë nostalgjie kushtin e funksionimit real të pushtetit legjislativ, sipas të cilit, ekzekutivi duhet të jetë në kontroll të vazhdueshëm nga parlamenti, që e cakton, voton, mund ta shkarkojë kabinetin, por edhe ta shohë e t’ia kontrollojë sistematikisht sjelljen. Në fakt, në rastin e Shqipërisë, shikon se shpesh arroganca e Ramës tejkalohet nga ajo e ministrave (kuptohet kur lejohen të mos ia kalojnë imazhin kryeministrit) ndaj parlamentarëve, duke i shpërfillur hapur ata (Balla, Spiropali janë mes të tjerave shembuj). Ashtu si, shpesh e më shpesh, retorika që përdoret në parlament nga Noka, Paloka, Vokshi etj., tejkalon shpesh e normalisht etikën parlamentare.
Nga ky zhvillim, për gati më shumë se një vit, në këtë legjislaturë, Shqipëria drejtohet prej një parlamenti që është krejtësisht inaktiv, sa i përket funksionalizimit prej arrogancës së PS, maxhorancës që pothuaj nuk e konsideron fare opozitën; dhe pasigurisë e përçarjes së PD-së, që nuk argumenton dot qoftë normalisht edhe për gjërat e nevojshme, për të cilën janë në parlament. Për fatin e keq të tyre, përveç ligjeve që kërkojnë 2\3 e votave, maxhorancës nuk “i nevojitet” fare opozita me votat e saj dhe konfuzionin e flakadanëve. Ndaj nuk kemi ende Avokat Populli, Amnisti dhe të tjera ligje të mbajtura pezull. Më shqetësues mbetet fakti që përçarja e opozitës po ndikon në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ku ende nuk dakordësohet për emrat përfaqësues (Duma po bën një vit që s’është më deputete) dhe shprehin aq konfuzion qoftë edhe nga maxhoranca, duke mos arritur të bëjnë qoftë edhe disa mbledhje të justifikonin punën.
Duke e parë në një plan me evropian, argumentin tonë dhe duke u kthyer tek struktura e BE-së është e vërtetë se politikë-bërja në nivel evropian dominohet nga Ekzekutivet. Si rezultat, ndodh që qeveritë t’i injorojnë sistematikisht parlamentet e tyre, kur marrin vendime në Bruksel. Prandaj, integrimi evropian ka nënkuptuar një rënie të pushtetit të parlamenteve kombëtare dhe një rritje të pushtetit të Ekzekutivit, referuar studiuesve të fushës. Teorikisht, duket se demokracia e sotme parlamentare nuk plotëson atë lloj funksioni që garanton performancën minimale të Legjislativit dhe qeverisë, që një komb ka të drejtë të presë. Dhe, sërish, studiuesit nuk ia vënë më fajin parlamentarizmit: por fakti se e gjitha është pasojë e një realiteti shoqëror të ndryshuar, i sjelljeve dhe qëndrimeve të reja nga ana e qytetarëve. Një formë qeverisjeje nuk është një gjë abstrakte dhe nuk duhet gjykuar nga teoria: është e mirë apo e keqe në varësi të asaj se si lidhet me shoqërinë të cilës supozohet t’i shërbejë, referon Fusaro. Dhe, tashmë, qëllimi kryesor në demokracitë e sotme është nëse qeveria mund të mbijetojë dhe të veprojë, sipas planeve të saj dhe si të ketë pas vete një numër të mjaftueshëm parlamentarësh. Kjo i bën partitë që pasi të sigurojnë numrat të jenë gjithnjë e më shumë indiferente për mbarëvajtjen e parlamentit. Rasti i maxhorancës socialiste në zgjedhjet e fundit e ka treguar mirëfilli këtë. Studiuesi i mësipërm rendit dy arsye kryesore për këtë: e para fragmentimi në rritje, i cili tenton të mposhti çdo sistem zgjedhor (një sistemi rajonal proporcional tek ne), dhe mbi të gjitha, e dyta, tendenca e qytetarëve, shoqërive dhe politikanëve për ta jetuar politikën në një mënyrë rrënjësisht të ndryshme nga e kaluara. Marrëdhëniet mes palëve sot (lexo: PS dhe PD) kanë ndryshuar rrënjësisht. Specifika e Shqipërisë sot, lidhet jo më me ideologjitë që përfaqësojnë partitë, por grupet e interesit, që në karakterin antropologjik përfshijnë dhe klane dhe lokalizma, të cilat vendosin. Ndaj, sot është e vështirë të kuptosh ideologjitë e partive. Shkurtimisht, nevoja për demokraci konsensuale dhe kompromis rritet në këtë kohë, kur kushtet e nevojshme mungojnë gjithnjë e më shumë. Rasti i Shqipërisë e tregoi pak vite më parë këtë në një konsensus të brishtë PS dhe PD (Marrëveshja Rama-Basha), por që nuk e solli dot ndryshimin e pritur. Sot, demokracia jonë është në format më të para të autokracisë. Në formë cinike këtë gjendje e ka paraprirë një nga presidentët amerikanë, gati 200 vite më parë: “Mos harroni, demokracia nuk zgjat kurrë. Së shpejti humbet, lodhet dhe vret veten. Nuk ka pasur ende një demokraci që nuk ka kryer vetëvrasje”, citohet John Adams.
A ka ndonjë rrugë për t’i shpëtuar këtij deficiti demokratik, që tashmë e kemi para syve?! Studiuesi i mësipërm, shpreh besimin, që do ishte mirë për qytetarët të kishin fuqinë për të votuar drejtpërdrejt për Ekzekutivin. Është ende konfuze ideja, nëse mënyra më e mirë për ta zbatuar këtë do të ishte zgjedhja direkt e një kryeministri dhe një parlamenti, apo një presidenti dhe një parlamenti dhe, sesi mund mund të realizohej. Por, të zbresim në realitet: Forcimi i ekzekutiveve kudo në kurriz të Legjislativit, po na sjell në gabimet e së shkuarës, ku forcën e bëjnë Lideri dhe oborri i tij. Demokracia e pastër ende mbetet iluzion, pasi forca e Ekzekutivit tashmë nuk ndalet, duke e lënë demokracinë me një deficit, që vjen e rritet për ditë. Në Shqipëri e shohim fare pastër, qoftë edhe me ‘forcën dhe saktësinë’ e socialistëve. (Homo Albanicus)
Ky gazetari ka hallin demokracise sikur jeton ne nje planet tjeter ose eshte paguar nga shtete te huaja qe te thote keto gjera.problemi me i madh i popullit eshte qe Amerika ka carmatosur Shqiperine dhe Serbia sjell ushtrine ne kufi do na vriten femijet ky topja na thote per ceshtjen e demokracise.ce duam ne demokracine po na u vrane femijet.