Politologu Ergys Mërtiri e ka komentuar si tragjikomedi sjelljen e Sali Berishës i cili del dhe mban fjalime në dritaren e banesës ku po mbahet në arrest shtëpie me urdhër të GJKKO.
Nëpërmjet një lidhje skype për “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, Mërtiri tha se numri i vogël i militantëve që mblidhen poshtë banesës dhe dëgjojnë fjalimin e Berishës tregon se ky i fundit nuk është lider i opozitës dhe se përkundër asaj çfarë pretendon, në të vërtetë nuk e ka mbështetjen e popullit.
“Situata po shkon në një tragjikomedi, Berisha po luan në mënyrë qesharake duke e bërë komedi tragjedinë që ka shënuar fundin e tij. Numri i vogël i qytetarëve të mbledhur tregon se Berisha nuk është lideri i opozitës sepse ndryshe do shkundej sheshoi. Populli nuk e konsideron arrestin e Berishës si arrest të liderit të opozitës. Ajo çfarë përpiqet të shpërfaqë kjo protestë është adhurimi për Berishën. Buron nga kulti i individit që është ngalitur tek militantët më të verbër sepse vetëm nëpërmjet kësaj mund të mbrohet Berisha sot”- tha Mërtiri.
Për Mërtirin, brohoritjet e militantëve të mbledhur poshtë dritares së Berishës janë qesharake pasi pretendohet se kreu i Rithemelimit është më i fortë se kurrë kur në fakt ka pësuar disfatë në të gjitha drejtimet.
“Ky është funerali i tij, ata njerëz kanë shkuar në varrim. Me brohorima absurde të themi se Rama po dridhet nga Berisha është totalisht jashtë normales. Unë nuk e di se kush është i verbëri, nuk është as e debatueshme, është qesharake. Berisha është telef në të gjitha drejtimet dhe këta thonë se janë më të fortë se kurrë”- shtoi politologu.
Ndërsa deputeti demokrat Luan Baçi në studion e emisionit, e cilësoi si solidarizim me situatën ku ndodhet Berisha mbledhjen e militantëve poshtë banesës së tij. Sipas deputetit këto protesta do të vazhdojnë së bashku me aksionin politik në Kuvend.
“Për mua impakti është shumë i madh aty, për të treguar solidarizimin tonë me ndalimin e padrejtë që i është bërë kryetarit të PD. Nuk shkojmë vetëm për Berishën si individ por për të si kryetar të PD-së. Derisa drejtësia t’i thërrasë mendjes për goditjet që po i bëhen opozitës në mënyrë të padrejtë. E gjithë kjo do të kthehet në boomerang. Kjo punë nuk do t’u dalë për mbarë sepse PD do vazhdojë aksionin e saj më fuqishëm. Do vazhdojmë aksionin politik në bazë e seli. Edhe në datën 15 do vazhdojmë aksionin si grup parlamentar i unifikuar”- tha deputeti Baçi./m.j