Për të tretën herë rradhazi, Sali Berisha nga ballkoni i shtëpisë ku po mbahet nën masën e arrestit të caktuar nga GJKKO, ka dalë para militantëve të tij dhe ka mbajtur fjalime, duke thyer në njëfarë mënyrë urdhrin e gjykatës për të mos komunikuar me persona të tjerë jo familjarë.
Në studion e “Kontrast” me gazetarin Denis Minga në Report Tv, analisti Lorenc Vangjeli e cilësoi këtë si një strategji totalisht të gabuar që po ndiqet nga ish-kryeministri. Sipas Vangjelit, në këtë mënyrë Berisha po kërkon të shndërrohet në “viktimë” të një lufte politike ndërkohë që më herët nuk respektoi masën e caktuar nga GJKKO për “detyrim paraqitje”.
“Doktori ka hyrë në kursin e përplasjeve me drejtësinë. Besoj se është strategji e gabuar, tentativë e tij për t’u shndërruar në viktimë dhe martir të një lufte politike. Masa e re e arrestit për doktorin nuk ka të bëjë me çështjen por me mënyrën sesi u soll vetë gjatë këtij procesi. Nëse do të mbante masën e parë, nuk do kishim mbërritur këtu. Në këtë moment doktori shikon se e vetmja rrugëzgjidhje për të është që të avancojë në këtë kurs përplasje. Do dëgjojmë lajme të tjera, ndoshta ngjarje shpërthyese”- u shpreh Vangjeli.
I të njëjtit mendim ishte edhe këshilltari i koacilionit “Bashkë Fitojmë” në bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti i cili tha se nëse Berisha do kishte respektuar masën e parë nuk do të kishte ardhur deri në këtë pikë dhe shtoi se sipas tij, ish kryeministri ishte këshilluar keq juridikisht.
“Bie dakord se çështja e parë ka një diskutim shumë të madh, qoftë për kohën dhe ekzekutimin e saj. Sepse ka 10 vjet. Ndërsa 10 ditët e fundit, këto goditja kaq të forta në një kohë kaq të shkurtër, Po të kishte qenë respektimi I duhur i masës së parë, kjo situatë nuk do ishte e tillë, e përshkallëzuar. Këshillimi juridik nuk ka qenë I duhuri, nuk ka qenë lexim i duhur i masës së parë”- tha Alimehmeti.
Më tej, sa i takon një zgjidhje për situatën brenda PD-së, Alimehmeti nënvizoi nevojën për një bashkëpunim me të gjitha palët duke u shprehur i bindur se problem mund të zgjidhet vetëm nëse do të formohet një grup përbashkues që qëndron mbi individin apo “Uni-n politik”.
“Ne shohim gjithmonë tek uni dhe kurrë nuk është menduar në këto 33 vjet për një grup. Dhe grupet janë sjellë gjithmonë në momentet e krizës sepse grupi është më i fortë se individi. Mendoj se kemi një situatë krize qoftë shoqërie, politike dhe partisë tonë. Këtu duhet një grup. Ka djem dhe vajza sa të duash që duan ta bëjnë. Çështja e madhe do jetë, nëse do vijë nga Berisha do vijë në formën e një udhëzimi ose përndryshe thjesht do krijohet vetë”- shtoi Ilir Alimehmeti.
/f.s
Ti je nje kokërr idioti