Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot një takim online me efektivët e Forcave të Armatosura që shërbejnë në misionet dhe operacionet paqeruajtëse në botë krah NATO-s, OKB-së dhe Bashkimit Evropian.
Në takim ishte i pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, Gjeneralmajor Arben Kingji.
Presidenti ndau me ushtarakët urimet për vitin e ri dhe i përgëzoi për kryerjen me përgjegjësi e devotshmëri të të gjitha angazhimeve të ndërmarra në ruajtje të sigurisë dhe paqes në botë.
Begaj i vlerësoi ushtarakët për lartësimin e emrit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Falë punës suaj, vendi ynë konsiderohet si partner mjaft i rëndësishëm i organizatës së NATO-s dhe kërkesa për shtim të kontributit të Shqipërisë në Aleancë është shenjë e vlerësimit për profesionalizmin e Forcave të Armatosura”,- ka thënë Begaj.
Presidenti u shprehu ushtarakëve mbështetjen e tij maksimale, duke i cilesuar “kontributin më të madh të shqiptarëve në botë”.
Gjithashtu, të pranishëm në këtë bisedë me ishin dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura që shërbejnë në rajon, por edhe më gjerë, si: Letoni, Irak, Sinai, në Sudanin e Jugut dhe në detin Egje.