Kisha Ortodokse Shqiptare e konsideron ofendim perdorimin e objekteve te kultit per te bere foto te vajzave te bukura qe reklamojne fustane nusërie sipër fronit dhespotik, para Derës së Bukur dhe ikonave të ikonostasit, konkretisht në kishat historike Orthodhokse të Beratit dhe Elbasanit.
Në një kërkesë drejtuar autoriteteve përgjegjëse shtetërore theksohet se “Duhet t’i kthehen Kishës Orthodhokse, pa vonesë dhe pretekste, të gjitha kishat e shenjta, manastiret, lipsanet e shenjta, ikonat dhe objektet e shenjta të adhurimit, të cilat respektohen, nderohen dhe janë të shenjta për të gjithë Orthodhoksët anembanë botës dhe sigurisht edhe për besimtarët e Shqipërisë”.
“Kjo ngjarje është një sakrilegj i dukshëm dhe fyerje e ndjenjës fetare. Sigurisht që ky fakt nuk ndihmon harmoninë fetare për të cilën mburret vendi ynë. Rikujtojmë se veprime të tilla fyese të përsëritura nuk “promovojnë” trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Vlen për t’u theksuar fakti sesakrilegje të tilla nuk janë bërë në asnjë objekt kulti të ndonjë komuniteti tjetër fetar të Shqipërisë.Protestojmë, pasi organet shtetërore, të cilat mbajnë ende në zotërim vendet dhe objektet e shenjta pas njëzet e pesë vitesh demokraci në vend, japin leje që përdhosin të shenjtat dhe të hirshmet e Kishës Orthodhokse”, thuhet në reagimin e Kishës Ortodokse.