Zbardhet ngjarja e ndodhur në fshatin Shalës Cërrik ku u gjet i vdekur në banesë shtetasi B.Sh. 56 vjeç.
Zbulohet e vërteta e ngjarjes “Vjedhje me pasojë vdekjen ” si dhe inskenimi i versionit të ngjarjes që të dukej si aksidentale.
Arrestohen 2 shtetas të dyshuar si autorët e vrasjes dhe të inskenimit të versionit të ngjarjes.
Sekuestrohen sendet e vjedhura të fshehura në një ullishte.
Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore Tiranë, bënë dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në fshatin Shalës Cërrik, ku u gjet I vdekur ne banesë shtetasi B.SH, 56 vjeç, banues në fshatin Shalës Cërrik.
Si rezultat i një pune të mirfilltë operative-proceduriale, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në fshatin Shalës Cërrik , rezultoi se:
Autorët e kësaj ngjarje, dyshohet të jenë shtetasit:
Ø Naim Çekrezi, 56 vjeç, banues në Cërrik.
Ø Ilir Çekrezi, 25 vjeç , banues në Cërrik.
Këta shtetas, dyshohen të kenë vrarë shtetasin B.Sh. gjatë momenteve të vjedhjes së banesës së tij dhe më pas kanë inskenuar vendin e ngjarjes, duke e bërë të dukej si ngjarje aksidentale.
Por pas veprimeve hetimore të mirëfillta u arrit në konkluzionin se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale, pasi viktima ishte goditur me sende të forta, të cilat i kishin shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Gjatë veprimeve hetimore të ndjekura me metoda speciale të hetimit, rezultoi se në njërën dhomë të banesës së viktimës, autorët kishin vjedhur një sasi prej 250.000 lekësh (të reja) dhe 1880 Euro.
Gjatë kontrollit të ushtruar në një ullishte, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
1. Rrobat e përdorura në momentin e kryerjes së krimit.
2. 250.000 leke te reja.
3. 1880 Euro
4. Një aparat celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 141 dhe 25 të Kodit Penal.