Edmond Sorra tregon se prej tërmetit të vitit 2019 shtëpia u dëmtua dhe duhet të rikonstruktohet.
Ai mori një inxhinier/arkitekt për të bërë projektin dhe aplikimet në bashki për leje ndërtimi.
Pasi futi në dorë 1800 Euro dhe pasi leja e dytë u refuzua nga bashkia, arkitekti Arbër Marini, u zhduk.
Edmond Sorra: Sipas punonjësve të bashkisë më thanë që të merrja një inxhinier privat për aplikimin se unë nuk mund ta kryeja këtë aplikim. Sipas kësaj, dola gjeta një inxhinier. Ramë dakord që ky të aplikojë të gjithë dokumentacionin e shtëpisë sime për rindërtim DS5. Më tha dua kaq lekë, 1 milionë e 500 mijë.
Gazetarja: Kush ishte inxhinier?
Edmond Sorra: Inxhinieri quhet Arbër Marini. Dhe tha Mondi çdo gjë ok, do nis projektin dhe më duhen lekët. I dhashë 1 milion e 700 mijë, domethënë 1 milion shqiptare dhe 500 euro për këtë veprim. Zotëria në fjalë bëri një projekt. Aplikoi, u rrëzua aplikimi për arsye se zotëria kishte dalë nga kubatura ekzistuese. Aplikoj për së dyti dhe më tha Mondi kësaj here nuk kemi pse gabojmë sepse jam sqaruar mirë me punonjësit e bashkisë. Ok, thashë bëje si të duash, vetëm të aplikojmë për arsye se na heqin bonusin e qirasë. Si përfundim u refuzua dhe e dyta për arsye se ky nuk kishte bërë aplikimin e duhur.
Gazetarja: Pasi bëri aplikimin e dytë dhe u refuzua a nuk bëri një aplikim të tretë?
Edmond Sorra: Jo. Absolutisht jo. Mbylli telefonin dhe nuk u bë më i gjallë. Se i bie të marr muaj për muaj nga një inxhinier dhe të përfundoj kështu siç përfundova me ty. Unë ato lekë i kam lekë gjaku se jam vet i gjashtë me një pension dhe zotëria në fjalë nuk bëhet i gjallë. Zotëria nuk më hap telefonin.
Arkitekti që ka komunikuar me qytetarin Edmond Sorra, e ka studion në rrugën him Kolli. “Stop” kërkoi atje, por askush nuk ka dëgjuar për studion e tij, apo për atë vetë.
Alida Salillari, arkitekte thotë se është përgjegjësia e arkitektit, të përfundojë aplikimin për lejet në bashki dhe për projektin.
Në asnjë moment qytetari nuk ka përgjegjësi për këtë procedurë.
“Arkitekti duhet të mbajë përgjegjësi deri në daljen e lejes së ndërtimit. Tani në rastet kur leja refuzohet nga bashkia, qytetari nuk ka të drejtë të aplikojë vetë. Sigurisht që do të aplikojë nëpërmjet studios ose nëpërmjet personit të licencuar. Qytetari nuk mban përgjegjësi për refuzime që bën bashkia. Nëse faji është i studios, atëherë studio mban përgjegjësi. Faji i qytetarit është vetëm nëse dokumentacioni që i përket qytetarit, që në rastet e rindërtimit akt konstatimi vizuar dhe aktekspertiza e thelluar duhet që sipërfaqja e përcaktuar në tokë të jetë e barabartë me sipërfaqen e shënuar në dokumentin e pronës”, tha ajo.
/a.d