Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Rezart Kthupi, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka komentuar betejën ligjore mes demokratëve për vulën e Partisë Demokratike.
Kthupi u shpreh se vendimi i fundit nga Gjykata e Lartë është pozitiv pasi ka zgjidhur problematikën e njohjes së dy palëve, por edhe ka urdhëruar shqyrtimin në themel të çështjes nga Apeli.
Sipas tij brenda PD-së janë të sigurt se Kuvendi i 11 Dhjetorit i organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të njihet.
Sa i përket afateve kohore, Kthupi tha se çështja mund të zgjidhet para pranverës së vitit të ardhshëm, ndërsa i pyetur se çfarë do të ndodhë nëse gjykata i jep të drejtë Rithemelimit, ai u shpreh se “kjo do t’i lihet kohës”.
Ne kemi kërkuar që rasti të zgjidhet sa më shpejtë. Ne jemi të bindur që do të provohet se Kuvendi i 11 Dhjetorit nuk i zbaton kriteret dhe ligjet për partitë politike. Ndaj ne besojmë se kursimi i kohës në shkallët e drejtësisë është gjë pozitive. Sot zyrtarisht njihet PD me kryetar Lulzim Bashën.
Shpresojmë se çështja do të zgjidhet para pranverës së vitit që vjen. Nëse gjykata vendos pro Rithemelimit, kjo do t’i lihet kohës. Jemi shumë të bindur që nëse gjykimi bëhet në themel nuk do të humbim këtë çështje. Basha dhe gjithë strukturat drejtuese të PD kanë besim te avokatët për fitimin e çështjes”, u shpreh ai.