Sytë i shkëlqejnë sapo e sheh, ndërsa buzëqeshja nuk i është zhdukur, ndonëse fati e përballi me një sëmundje që nuk e lejon të qëndrojë në këmbë.
Stela Brakaj, 24 vjeçarja nga fshati Llakatund i Vlorës, vuan nga spina bifida. Ka kryer 7 operacione, por asnjë nuk e ngriti në këmbë. Madje një prej tyre rezultoi fatal.
“Operacioni i parë që kam bërë, ka qenë i gabuar. Më ka dhënë rezultat sekondar, madje më shkaktoi probleme në veshka. Në moshën 11 vjeçare unë kam hequr veshkën dhe ka qenë një operacion i vështirë dhe i dhimbshëm. Të dhëmb kur e mendon, jo më ta përjetosh”,- tregon e prekur.
Pamundësia fizike nuk ia ka shuar ëndrrat. Ajo përfundoi studimet në degën që ëndërronte, ka pasion muzikën, ka patentë makine dhe çdo ditë përpiqet ta thyejë rutinën.
Mungesa e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara është një nga problematikat që vihet re rëndom në qytetin bregdetar të Vlorës. Për këtë arsye Stela kërkon ndihmën e kalimtarëve që të kalojë rrugën ose për t’u ngjitur në trotuare.
Dëshira më e madhe është të punojë në profesion, por duket se kjo kategori është ende e paragjykuar nga shoqëria dhe pronarët e kompanive.
/a.d