Anëtarët e Komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik nuk do të kenë ymër për të parë fundin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, shkruan “Koha Ditore”.
Këtë e ka thënë kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi, teksa ka folur për caktimin e një afati kohor për përfundimin procesit të privatizimit në Kosovë.
Nevojën për caktimin e një afati kohor e ka ngritur kryetari i Komisionit për zhvillim ekonomik, Muhamet Mustafa, të martën, në mbledhjen ku është shqyrtuar raporti i AKP-së për vitin 2014.
Kryetari i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, ka thënë se ende nuk janë marrë me çështjet kryesore të agjencisë – privatizimin dhe likuidimin, meqë në tre muajt e parë janë marrë me disa problematika që kanë kërkuar vëmendje të menjëhershme të bordit. Ka thënë se nuk mund të caktohet një vit se kur mund të finalizohet procesi i privatizimit, por mund të caktohet një periudhë kohore.