Pasi refuzuan pjesëmarrjen në zonat ku KQZ-ja urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve, opozita serbe doli sërish në protestë në Beograd dhe disa qytete të tjera të vendit.
Qindra njerëz u mblodhën jashtë godinës së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Beograd, ku përveç anulimit të rezultatit kërkuan dhe lirimin e të rinjve dhe aktivistëve të arrestuar në protestën e së dielës, ku pati dhe disa incidente.
Kjo ishte protesta e nëntë në radhë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, ndërkohë që disa politikanë të këtij grupimi kanë zgjedhur të hyjnë në grevë urie, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Aleanca “Serbia kundër dhunës”, javën e kaluar i kërkoi BE-së të hetojë rezultatet e zgjedhjeve, pasi vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se votimet u mbajtën në kushte të padrejta.
Ndërkohë që mazhoranca mohon të ketë pasur keqpërdorime të votave dhe ngul këmbë që zgjedhjet ishin të drejta, pavarësisht kritikave nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe atyre lokalë.
Në mbështetje të koalicionit të Vuçiç doli dhe ambasadori rus në Beograd, Botsan-Kharchenko, i cili tha se protestuesit, të ndihmuar nga jashtë, po përpiqen të rrëzojnë qeverinë.
/a.r