Krenar Dervishi, Shef i sektorit të burimeve njerëzore të Gardës së Republikës së Shqipërisë ka rrëfyer në emisionin “Jetë Shqiptare” sfidat me të cilat përballen gardistët, duke u ndal te seancat plenare dhe 21 Janari i 2011-ës.
Dervishi deklaroi se momentet më të vështira për gardistët dhe atë vetë janë sulmet ndaj institucioneve shtetërore.
Ai rrëfeu se më 21 Janar të 2011-ës ku mbetën të vrarë 4 persona, ka qenë në krye të detyrës, duke e konsideruar një prej momenteve më të vështira të punës së tij dhe Gardës.
“Nuk dua të përmend rast pas rasti. Por në ato raste kur janë sulmuar institucionet shtetërore. Këto janë momente shumë të vështira për një gardist.
Në vitin 2011 kam qenë në krye të detyrës. Momenti më i vështirë janë pikërisht këto, sulmi ndaj institucioneve. Nuk quaj moment të vështirë për gardën situata të krijuara së fundmi në parlament. Ato janë sfida dhe të vënë përballë syrit të mediave. Por Garda i ka përballuar me sukses. Në një institucion tjetër të sigurisë kombëtare para pak ditësh një nga drejtuesit e lartë kur kishte mbledhur vartësit e vetë ju kish thënë që kemi një detyrë të vështirë, ju ftoj të shihni një video të seancës parlamentare dhe të ruani atë gjakftohtësi që ruajti Garda e Republikës”, tha ai.
/a.r