Dhjetë orë betejë me flakët të cilat përfshinë qendrën tregtare ‘Metropol’ në Lushnje rreth orës 14:40 minuta të së hënës së Krishtlindjeve.
Qendra e cila është ndërtuar në qendër të qytetit, ndodhet mes dy godinave 12 katëshe, katet e sipërme të të cilave funksiononin si apartamente banimi.
Flakët u riaktivizuan në orët e vona të natës në katin e katërt ku ndodhej dhe një lokal veror me strukturë druri si dhe disa zyra të administratës. Mungesa e një autoshkalle e bënte të vështirë shuarjen e zjarrit ndërsa zjarrfikësit hidhën ujë nga kati i parë për në katin e katërt të qendrës që ishte duke u shkrumbuar. Flakët përpinë dhe katin e tretë të ndërtesës.
Në ndihmë shkuan dhe një numër i madh zjarrfikësish të ardhur nga Qarku Fier, Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan e Berat.
Zjarri që u aktivizua rreth orës 14:40 rrezikoi jetën e shumë personave të cilët kishin shkuar për të bërë pazar apo festuar ditën e Krishtlindjeve, por dhe të banorëve që jetonin në katet e sipërme të pallatit.
Rreth orës 18:00 policia deklaroi se kishte arritur të kryente evakuimin e plotë të banorëve në apartamentet e kateve të mësipërme. Eshtë dashur ndërhyrja e forcave RENEA e cila ka arritur të hyjë në çdo apartament për të bërë evakuimin e plotë të tyre.
Mes të shpëtuare nga RENEA ishin dhe tre fëmijë, një 7 vjeç dhe 2 nga 14 vjeç. Rreth 42 persona u shtruan në spital pasi kishin probleme me frymëmarrjen mes tyre dhe 8 persona personel zjarrfikës.
Nga 3 fëmijët dy kanë lënë spitalin njëri në observim. Nuk ka djegie por asifksi’ tha Kreu i Urgjencës Kombëtare Brataj.
Në operacionin e evakuimit morën pjesë dhe forcat Shqiponja, forcat speciale dhe forcat zjarrfikëse. Edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe ministrja e Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ishin në vendngjarje për të ndjekur nga afër situatën.
Do të jenë hetimet që do të zbulojnë shkaqet e këtij zjarri.
Qendra tregtare u ndërtua në qendër të qytetit të Lushnjes rreth vitit 2015. Tre katet e para ishin shfrytëzuar si qendër tregtare për shitjen e materialeve industriale. Kati i katërt ishte lokal veror dhe zyra, ndërsa kati i pestë dhe lart ishin apartamente ku banonin qytetarë. Zjarri mendohet se ka rënë në katin e tretë ose të katërt. Janë gati 100 firma që operonin në këtë qendër.