Gjykata kushtetuese është shprehur për stokun e dosjeve që ka prekur të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe që ka shkuar në 109 mijë çështje që presin.
Pasi ka marrë në shqyrtim padinë e një qytetareje që pret prej 5 vitesh, gjykata kushtetuese i konsideron zvarritjet të paarsyeshme dhe çmon të nevojshme ndërhyrjet legjislative.
“Gjykimi përtej afatit të arsyeshëm, bazuar vetëm në faktin se shteti ka dështuar të marrë masa efikase, nuk mund të përligjë cenimin e të drejtave kushtetuese të individëve, në kushtet kur mbingarkesa në gjykata tashmë është një situatë e njohur dhe e zgjatur në kohë, e cila nuk varet nga individët.
Në këtë pikë, Gjykata evidenton se sjellja e autoriteteve shtetërore, në veçanti e atyre që miratojnë ligjet dhe politikat e sistemit të drejtësisë, nuk është në nivelin e duhur të efikasitetit, pasi bën të nevojshme ndërhyrje të mëtejshme, veçanërisht legjislative, për të shmangur vonesat e paarsyeshme të gjykimit të çështjeve në gjykata, në kushtet kur mjetet ligjore ekzistuese nuk i përgjigjen situatës aktuale”, deklaron Gjykata Kushtetuese në vendimin e vënë në dispozicion Top Channel.
Ndërhyrje legjislative propozoi një vit më parë dhe KLGJ.
Por, Gjykata Kushtetuese shton se kjo gjendje është duke vazhduar prej disa vitesh dhe metodat e identifikuara nga vetë gjykatat dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, që ka përgjegjësinë për të siguruar mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor tregojnë se mekanizmat e parashikuar i shërbejnë një kohe normale të veprimtarisë gjyqësore. Pra jo situatës së jashtëzakonshme, në pikëpamje të volumit, që ndodhet tashmë sistemi i drejtësisë, thuhet më tej. Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë kërkesës Laureta Selimaj dhe urdhëron gjykatën e apelit administrativ ta shqyrtojë çështjen e saj me përparësi.
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Lartë që deri diku ishte dorëzuar para stokut dhe nuk e mori parasysh.
Pas një pritjeje që s’ka fund, dhjetëra qytetarë u janë drejtuar gjykatave me kërkesë për përshpejtim gjykimi më së shumti për shkaqe shëndetësore./m.j