Aleksandër Vuçiç gjen mbrojtje nën “putrën” e Rusisë, ndërsa përballet me protestat më të mëdha ndonjëherë. Presidenti i Serbisë u takua me ambasadorin e Moskës në Beograd, Aleksandar Boçan-Kharçenko, me të cilin diskutoi për manifestimet kundër tij, me qeverinë në Beograd që konfirmon se shërbimi sekret i Rusisë i informoi se do të ketë trazira në kryeqytet, thuajse njëjtë si në 2014 në Kiev të Ukrainës.
“Kemi shkëmbyer mendime edhe për marrëdhëniet dypalëshe, situatën në rajon dhe ngjarjet aktuale gjeopolitike. I përcolla ambasadorit urimin që dy popujt tanë t’i presin festat e ardhshme dhe Vitin e Ri në paqe dhe mirëqenie”, tha Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë.
Në nisje të takimit, ambasadori rus i dhuroi Vuçiçit librin e ish diplomatit dhe ambasadorit të Bashkimit Sovjetik në Shtetet e Bashkuara, “Tepër sekret” nga Anatoly Dobrynin. Boçan-Kharçenko pretendoi se protestat e opozitës në Serbi po zhvillohen me mbështetjen e një faktori të huaj.
Sipas diplomatit të Putinit, trazirat në Beograd po bëhen sepse Serbia po refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Lidhur me protestat, Vuçiç u trimëruar vetëm pas bisedës me rusët.
“Unë kam qenë në tarracën e presidencës, në vendin tim të punës dhe nuk kam pasur aspak frikë nga ju dhe nuk do t’ju lë ta shkatërroni Serbinë”, u shpreh presidenti serb në një videomesazh. Ndërkohë, kjo deklaratë erdhi pasi presidenti rus, Vladimir Putin, i kishte dërguar atij një telegram urimi për festat e fundvitit.
“Pavarësisht nga situata e vështirë në botë, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë, të cilat bazohen në traditat shekullore të miqësisë dhe afërsisë shpirtërore, po zhvillohen me frymë konstruktive”, shkruhet në urimin e Putinit, duke e konsideruar popullin serb si vëlla të atij rus.
Ndër të tjera, shefi i Kremlinit konfirmon se Moska dhe Beogradi kanë një agjendë të përbashkët rajonale dhe globale./m.j