Nga Augustin Palokaj
Viti 2023 nisi me shpresa të mëdha se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë një kthesë të madhe drejt një marrëveshjeje konkrete. Ajo që ishte paraqitur si propozim franko-gjerman u tha se palëve u ishte paraqitur në formën “merre ose leje”. U debatua shumë për atë “Marrëveshje bazë”. U botuan shumë versione, por në fund doli edhe ai i vërtetë. Marrëveshja ishte tepër modeste. Ishte mes minimumit të domosdoshëm për të shënuar avancim drejt normalizimit të raporteve dhe një suksesi në dialog, si dhe maksimumi i mundshëm në atë moment kur as BE-ja e as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishin të gatshme të bëjnë presion ndaj Serbisë që ta njohë Kosovën. Ishte një marrëveshje e cila në fakt normalizoi mosnjohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Por së paku ajo marrëveshje, në bazën e saj, pati njohjen de facto të Kosovës nga ana e Serbisë, të shprehur përmes obligimit që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, pra në asnjë organizatë ndërkombëtare, si dhe në obligimet që palët të respektojnë territorin e njëra-tjetrës dhe simbolet kombëtare. Ndonëse nuk ishte ajo që BE-ja kishte synuar, nuk ishte marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, ajo gjithsesi ishte një hap konkret drejt një status quoje të re. Si të tillë e quajti edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, duke thënë se “me këtë marrëveshje shënohet një status quo e re në procesin e dialogut”. Pra, edhe kjo deklaratë dëshmoi se BE-ja ka hequr dorë nga shumë ambicie, sepse deri në atë moment pohonte se “status quoja nuk është e qëndrueshme”.
Përderisa palët, si Kosova ashtu edhe Serbia, bënin përpjekje për ndryshime në tekst, ajo mbeti në formën e propozuar.
Gjithçka rreth kësaj marrëveshjeje nisi të shkojë keq pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. U tha se ata e kishin pranuar marrëveshjen, por nuk pati nënshkrim. BE-ja tha atëherë, e vazhdon të insistojë edhe sot, se deklarata e përfaqësuesit të lartë rreth Marrëveshjes ka peshën e arritjes së saj, dhe e bën zbatimin e saj si obligim për palët. Por që atëherë, e deri më sot, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, thonë se ata as nuk e kanë nënshkruar e as nuk e kanë pranuar në tërësi marrëveshjen. Por e kanë pranuar vetëm një “koncept për normalizim” nga i cili diçka do të zbatojnë e diçka jo.
Marrëveshjes iu ndryshua edhe emri. Nuk mbeti as “marrëveshje bazë”, por u bë “Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve”. Prej insistimit se “Marrëveshja, së bashku me aneksin duhet të nënshkruhet sepse pa nënshkrim mbeten vetëm dokumente politike”, lehtësuesit e BE-së kaluan në taktikën “nuk ka nevojë të nënshkruhet“. Nuk u nënshkrua as Aneksi për zbatim në Ohër. Dhe Serbia jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra dëshmoi se nuk e ka ndërmend të zbatojë pjesët kryesore të marrëveshjes dhe të aneksit. Serbia votoi kundër nisjes së procedurës së anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Serbia u dërgoi letra vendeve të BE-së që të mos e pranojnë shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim. Serbia vazhdoi të insistojë tek vendet që nuk e kanë njohur Kosovën që të mos mbështesin anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
Kështu Serbia me sukses testoi gatishmërinë e BE-së që t’i dalë zot Marrëveshjes dhe doli që BE-ja nuk është e gatshme të qëndrojë prapa asaj marrëveshjeje, me asnjë fjalë të vetme nuk e qortoi apo kritikoi shkeljen e qartë të Marrëveshjes nga Serbia.
fund të vitit, kur po mbahej një samit i përbashkët i BE-së dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor, Serbia edhe me shkrim ia bëri me dije BE-së se nuk e ka ndërmend të zbatojë atë që BE-ja vazhdon ta quajë “Marrëveshje”. Serbia e bëri këtë për të shprehur rezerva për deklaratën e përbashkët nga ky samit ku, mes të tjerash, ftohen Kosova dhe Serbia që “pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë të gjitha obligimet nga marrëveshjet e dialogut”. Në këtë mënyrë Serbia ua dha një goditje të madhe, do të thoshim edhe fatale, lehtësuesve të BE-së në procesin e dialogut.
Lehtësuesit e BE-së shpeshherë, kur janë pyetur rreth deklaratave të lidershipit të Serbisë se nuk do të zbatojnë pjesët kryesore të marrëveshjeve, janë përgjigjur se “nuk duhet gjykuar në bazë të asaj çfarë thonë publikisht në Beograd”, por në bazë të asaj çfarë u kanë thënë sy më sy në takime. Tash Serbia edhe me shkrim ia ka bërë me dije BE-së se nuk e ka ndërmend të respektojë obligimet kryesore nga Marrëveshja. Kjo dëshmon se dialogu në fakt ka dështuar, sepse pak do të ketë rëndësi pas dy a tre vjetëshse çfarë u ka thënë “sy më sy” presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfaqësuesit të lartë Josep Borrell apo të dërguarit të posaçëm Miroslav Lajçak. Kosova duhet të kërkojë një marrëveshje me BE-në dhe SHBA-në dhe të mos vazhdojë të mbajë fajin për dështim të deritashëm të dialogut. Edhe Asociacioni duhet të krijohet në Kosovë, për serbët e Kosovës, e jo për Beogradin.
Ndërsa Kosova, duke i përmbushur pjesët e veta nga dialogu, duhet t’ia lërë bashkësisë ndërkombëtare që të merret me Beogradin dhe t’u përgjigjet sjelljeve të Serbisë. Për Kosovën nuk ka kurrfarë vlere nëse Serbia do të ngecë në procesin e integrimeve në BE. Nuk ka kurrfarë rëndësie për Kosovën nëse obligimet e Serbisë ndaj marrëveshjeve të dialogut do të përfshihen apo jo në kapitullin e 35-të të Kornizës negociuese të Serbisë për anëtarësim në BE. Por për Kosovën ka rëndësi që, me apo pa pajtimin e Serbisë, të zhbllokohet procesi i anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe shqyrtimi i aplikimit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky duhet të jetë një test për BE-në që të dëshmojë se edhe ajo i merr seriozisht dialogun dhe marrëveshjet që kanë dalë nga ai.