Një 42-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi ka tentuar të grabisë në një banesë në fshatin Nartë. Gjithashtu 42-vjeçari me iniciale F. G.,është autori i dyshuar i vjedhjes në 2 banesa të tjera.
Sipas asaj që njofton policia është sekuestruar një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e cila iu gjet 42-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se një shtetas kishte hyrë në një banesë në fshatin Nartë, për të vjedhur, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Si rezultat i veprimeve të shpejta është arrestuar në flagrancë shtetasi: F. G., 42 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas, është autori i dyshuar i vjedhjes në 2 banesa të tjera, në fshatin Nartë dhe lagjen “24 Maji”, në të cilat dyshohet se ka vjedhur disa pajisje elektroshtëpiake dhe sende të ndryshme personale”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
/a.d